Friday , 13 December 2019

KAMPIONATI I BOKSIT NIS MBARË PËR VLLAZNINË

Ka nisur mbarë për ekipin e Vllaznisë kampionati kombëtar i boksit që po zhvillohet në sallën sportive “Fahirje Hoti” të kryeqytetit. Në ndeshjet e ditës së parë, në ring janë ngjitur 7 boksierë shkodranë, prej të cilëve 6 kanë dalë fitues në ndeshjet e tyre dhe vetëm njëri është mundur. Një ecuri e tillë padyshim që e bën Vllazninë favorite për titullin kampion, megjithatë duhet pritur deri në fund.

Në ndeshjet e djeshme, në finalen e peshës 49 kilogramë Klevis Çela ka fituar Rifat Bajramit, ndërsa për peshën 56 kilogramë Artion Shaqiri ka fituar ndaj Emiljano Nezës së Tiranës. Për peshën 64 kilogramë, Rexhildo Zeneli i Vllaznisë ka fituar ndaj Rudolf Matës së Apolonisë dhe po ashtu, po për këtë peshë, Riad Kunoshevci ka fituar ndaj Redon Osmeni të Flamurtarit. Në ndeshjen e peshës 75 kilogramë Arjon Kajoshi ka fituar ndaj Idriz Seferit të Tiranës dhe në peshën 91 kilogramë Kristian Demaj ka fituar ndaj Denzel Koçit të ekipit Titans. E vetmja humbje për ekipin shkodran ka qenë ajo në peshën super të rëndë +91 kilogramë kur Albert Kapaj është mundur nga Gelian Rojku i Teutës.

Interesant është fakti që deri në ditën e finaleve, rivaliteti do të jetë shumë i madh në mes Vllaznisë dhe Tiranës dhe përballjet direkte të boksierëve të këtyre dy ekipeve në pesha të caktuara, do të jetë shumë përcaktues edhe për faktin se cili do të jetë ekipi kampion i Shqipërisë për vitin 2019.

Sipas rregullores, kampion do të shpallet ekipi që do të nxjerrë më shumë sportistë kampionë në peshat respektive dhe nëse mes dy ekipeve ka numër të barabartë kampionësh, atëherë në skenë dalin nënkampionët dhe kush të ketë më shumë prej tyre, do të marrë pastaj vendin e parë.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA, GRUMBULLIM NË POGRADEC PARA SKËNDERBEUT

Ndonëse situata tek Skënderbeu nuk duket shumë e mirë, shoqëruar kjo edhe me bojkot të …