Thursday , 23 August 2018

KRYEMINISTRI RAMA THERRET KABINETIN QEVERITAR

Thirrja me urgjencë e Ramës për të bërë analizën e 300 ditëve të para të qeverisjes në këtë mandat të dytë ka ndërprerë pushimet e të gjithë kabinetit qeveritar. Takimi mësohet se do të zhvillohet në vilat qeveritare në Vlorë, larg vëmendjes së mediave, të cilat do të mundin të regjistrojnë vetëm hyrje-daljet e makinave të ministrave dhe stafit të Kryeministrit. Të hënën, ministrat dhe stafet e tyre u kthyen në punë pas pushimeve gati dyjavore. Mësohet se axhenda e takimit të Kryeministrit me ministrat e tij është analiza e punës së vitit të parë qeverisës dhe plani për vitin e dytë, në përmbushje të programit 4-vjeçar të qeverisë të prezantuar nga Edi Rama më 10 shtator 2017. Një vit më parë, pas shpalljes së kabinetit të ri, Kryeministri zhvilloi dy takime të tilla në Llogara dhe në Shëngjin, pak ditë më vonë. Takimet i shërbyen hartimit të prioriteteve të qeverisë dhe programit qeverisës, që u prezantua nga Kryeministri me nisjen nga puna të Parlamentit të ri. Në vitin e parë qeverisës, Kryeministri vijoi punën e tij me të njëjtin kabinet, pa bërë asnjë ndryshim ministrash. Pritet që në shtator Kryeministri Rama të bëjë ndryshime të ministrave të tij, për shkak të nevojës për impulse të reja në qeveri.

Një vit deri qershorin e ardhshëm, kur Këshilli Europian do të marrë një vendim për negociatat me Shqipërinë, Kryeministri do të kërkojë një ritëm të ri të kabinetit të tij. Mësohet se instrumenti matës i punës së çdo ministri, përveç realizimit të objektivave të programit të 300 ditëve të para, do të jetë edhe platforma e bashkëqeverisjes shqipëria që duam.al, në të cilën qytetarët shprehin ankesat dhe problematikat që ndeshin në zyrat e administratës. Sipas raportit të publikuar nga vetë Kryeministri Rama, në 10 muaj të funksionimit të platformës, janë zgjidhur 13,694 halle dhe probleme të qytetarëve, që deri dje mbeteshin sirtarëve të zyrave të shtetit. “Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që Duam”, u shpreh Kryeministri Rama pak ditë më parë, ndërkohë që bëri publik dhe faktin që për 420 zyrtarë të identifikuar nga hetimi administrativ, si përgjegjës për mospërgjigjen në kohë ndaj qytetarëve, janë marrë masa ndëshkimore. Ndërkohë, Kryeministri u bëri apel qytetarëve për të mos humbur kohë, por të raportojnë çdo problematikë që ata kanë, pasi kjo sipas tij, është mënyra sesi njerëzit e zakonshëm të marrin në kohë e me cilësi shërbimin që meritojnë.

Lexoni dhe kete

SHTATORI RIKTHEN PROTESTAT E OPOZITES

Shtatori do të nis me ristrukturimin e degëve të Partisë Demokratike dhe që në fillim …