Sunday , 21 January 2018

KUPA E SHQIPËRISË PËR MOSHAT, EKIPET E VLLAZNISË PRETENDENTE

Përveç basketbolli, edhe futbolli i moshave do të startojë fundjavën e ardhshme me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë. Ndërprerja e kampionateve në ditët e fundit të vitit të kaluar, është shoqëruar me një periudhë pauze por edhe përgatitjesh për të gjitha ekipet e vendit. Por kjo nuk do të zgjasë shumë. Kjo ngaqë, të gjithë ekipet do të rikthehen sërish në fushat e blerta më datë 20 janar. Dhe nuk do të jetë kampionati kombëtar që do t’i rikthejë ata në garë, por Kupa e Shqipërisë. Federata Shqiptare e Futbollit ka caktuar pikërisht këtë datë për nisjen e ndeshjeve, madje ka hedhur edhe shortin e turit të parë. Kështu, Vllaznia U-17 do të ndeshet me ekipin e Portos dhe ndeshja do të luhet në Kamëz.

Po në të njëjtën ditë, Vllaznia U-19 do të luajë në të njëjtën fushë me ekipin AAS. Kuptohet që pretendimi i të dy ekipeve kuqeblu është për t’i shkuar deri në fund edhe këtij kompeticioni megjithatë është garë dhe gjithçka mund të ndodhë. Skema e aplikuar nga Federata për këtë sezon është marrja pjesë e 16 skuadrave të ndara në dy grupe. Secila skuadër do të luajë dy ndeshje në grup dhe nëse kualifikohet shkon në gjysmëfinale ku do të ndeshet pastaj me ekipet e grupit tjetër. Natyrisht që dy ekipet shkodrane po përgatiten intensivisht për këto ndeshje. Madje Vllaznia U-19 së fundmi ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore ndaj ekipit të Tërbunit të Pukës. Ndonëse më të mëdhenj në moshë, lojtarët e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi nuk kanë arritur të fitojnë dhe në fund është vulosur rezultati i barabartë 4-4.

Kjo tregon se skuadra me përbërjen që ka dhe punën që bëhet në stërvitje, duhet të jetë patjetër me ekipet e elitës së moshës të vet. Po ashtu edhe ekipi U-17 i drejtuar nga trajneri Nefail Zhejani që mban vendin e parë në kampionat, do të mundohet që të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë megjithatë ata do ia lënë fushës duke i vlerësuar në maksimum të gjitha ndeshjet.

Lexoni dhe kete

BASKETBOLL, VLLAZNIA “E DORËZUAR” PËRBALLË TIRANËS

Vllaznia në basketboll për meshkuj e ka humbur ndeshjen me Tiranën të luajtur mbrëmjen e …