Deputeti Mark Frroku u arrestua në një lokal në pronësi të familjes së tij, ndërkohë që Doshi u ndalua në shtëpinë e tij në Tiranë. Autorizimi për arrestimin e deputetit Doshi, kërkuar nga Prokuroria ka marrë në Kuvend 80 vota nga deputetët e maxhorancës të pranishëm në sallë, me të cilët u bashkua edhe demokratja Mesila Doda. Ndryshe kërkesa për Mark Frrokun ka pasur edhe një abstenim nga radhët e deputetëve të pranishëm në sallë.
Në një deklaratë në rrjetin social Facebook, në pasditen e së enjtes Doshi përsëriti se kishte thënë të vërtetën, dhe se arrestimi i tij ishte i motivuar politikisht.“Kam thënë të vërtetën për porosinë e vrasjes ndaj meje nga Kryetari i Kuvendit,” u shpreh Doshi. “Nuk më vranë dot, dhe tani po përpiqen të më burgosin politikisht,” shtoi ai.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi të premten Kuvendit të autorizonte kërkesën për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, pas hetimit 3-javor mbi deklaratat publike të zotit Doshi se kryetari i Kuvendit Ilir Meta kishte paguar një vrasës me pagesë për eliminimin e tij dhe të deputetit Mhill Fufi.Të dy deputetët janë përfshirë së fundmi në një çështje ligjore të ngritur fillimisht nga Tom Doshi, i cili, më 2 mars 2015, deklaroi publikisht se kishte marrë informacion nga Mark Frroku për një tentativë për vrasje ndaj tij dhe një deputeti të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Sipas Doshit, porositësi i atentatit është kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Meta mohon akuzat. Frroku ka mohuar gjatë kësaj kohe të ketë qenë personi që ka informuar Doshin për tentativë vrasjeje duke pretenduar se e ka marrë vesh ngjarjen vetëm nga deklarata e Doshit më 2 mars. Të dy deputetët rrezikojnë dënim nga gjobë deri në 5 vjet burg.