LAJM I FUNDIT: SITUATA NE BASHKINE SHKODER NGA PERMBYTJET

Raport, ora 09:00, 07 Mars 2018
Situata në territorin e Bashkisë së Shkodrës paraqitet si me poshtë :
Gjendja në territorin e Bashkisë së Shkodrës paraqet vështirësi në zonat e përmbytura për shkak të shkarkimeve të HEC-eve si dhe në zonat e thella malore ku kalimi bëhet me shumë vështirësi.
Kështu: Në njësinë administrative Ana e Malit janë të përmbytura mbi 1000 ha tokë. Ka prezencë uji në rrugën e fshatit Obot, 30-50 cm dhe vërehet tendenca e rritjes së nivelit të ujit.Rrugët dytësore në fshatin Obot janë të bllokuara. Për shkak të shkarkimeve në kaskadën e lumit Drin, përmbytjet e tokave janë shtuar shumë sidomos ditët e fundit dhe mesa vlerësojmë do të vazhdojnë edhe për disa ditë në vijim.Uji i është afruar banesave deri tek shkallët e shtëpive.
Qindra ha toke edhe në Muriqan janë të përmbytura. Sipas prognozave, nëse vijojnë shkarkimet nga hidrocentralet, në fshatin Obot nuk do të mund të kalohet më as me makinat e larta të ushtrisë, por me varka me motor për të bërë të mundur lëvizjen e banorëve.
Ujësjellësi Oblika është përmbytur , pra nuk është në funksion. Si rrjedhojë janë pa ujë të pijshëm rreth 800 banorë.Rrezikon të përmbytet edhe Ujësjellësi Oblika 2.
Sipërfaqet e përmbytura sipas fshatrave në Nj.A. Ana e Malit:
Muriqan – 400 Ha
Oblikë – 290 Ha
Obot – 310 Ha
Total – 1000 Ha
Nga sipërfaqja e mësipërme,sipërfaqja e mbjellë me kultura bujqësore vlerësohet në 690 Ha , ndësa sipërfaqe e pakultivuar 310 Ha,të shpërndara si më poshtë:
1.Jonxhe 520 Ha
2.Kultura të dyta foragjere 140 Ha
3. Grurë 5 Ha
4. Sera 2 Ha
5. Bimë dekorative 20 Ha
6. Vreshtë 1 Ha
7. Ullishte 2 Ha
8.Agrume 1 Ha
Mjetet e ushtrisë, sipas kërkesës së bërë nga Bashkia Shkodër, vazhdojnë të jenë të disponueshme në rrugën e Obotit, për çdo rast nevoje të banorëve për të lehtësuar lëvizjen. Ndodhen të stacionuara 3 makina të larta të ushtrisë dhe 2 varka me motor, edhe 20 ushtarë të Repartit ushtarak Vau Dejës. Paraqitet nevoja për bazën ushqimore për kafshët në fermat në zonën e përmbytur.
Në njësinë administrative Dajç janë të përmbytura mbi 330 ha dhe vërehet tendenca e rritjes së tokave të përmbytura. Niveli i ujit ka pësuar rritje me 25-30 cm.Rruga që lidh fshatin Darragjat me Shirq është e bllokuar nga rritja e nivelit të ujit. Kalimi bëhet vetëm me mjete të larta.
Sipërfaqet e përmbytura sipas fshatrave ne Nj.A. Dajç:
Mushan – 35 Ha
Shirq – 85 Ha
Darragjat – 10 Ha
Këneta e Dajçit – 200 Ha
Sipërfaqja e përmbytur e mbjellë me kultura bujqësore është:
1. Foraxhere 75 Ha
2. Bimë decorative 5 ha
3. E pakultivuar – 250 ha
Problem shqetësues paraqiten edhe punimet që po bëhen në rrugën e Velipojës pasi në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore dhe ka përmbytje të tokave që janë afër rrugës. Ka mbi 20 ha të përmbytura në njësinë administrative Bërdicë.
Në njësinë administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore. Janë gërryer rreth 3 ha në 800 ml gjatësi që nga darka e kaluar.
Në zonat malore, për shkak të reshjeve të dëborës, kalimi i mjeteve të rënda dhe të pajisura me zinxhirë në rrugën e malit të Shoshit bëhet me vështirësi.
Rruga për në fshatin Bruçaj në Qafë-Thanë të njësisë administrative Pult është e bllokuar.
Rruga e Mazrekut në njësinë administrative Gur i Zi është e bllokuar, për shkak të dëborës së rënë.
Nga monitorimi në terren është vënë re që prurjet e lumit Drin janë rritur shumë.
Sipas IGJEUM-it, rezulton se “lumenjtë do të kenë prurje të larta kryesisht në pjesën veriore të territorit. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. Baseni Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës kanë patur tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve. Sot (e mërkure, dt.07) dhe në vazhdim (8 Mars 2018) rritja e prurjeve dhe e niveleve në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të jetë më e ndjeshme.
Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen në datën 8 Mars 2018.”
Situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga ana e Bashkisë Shkodër.

Lexoni dhe kete

RRUGA E THETHIT, SHUMË PREMTIME POR ASNJË NDËRHYRJE

Rruga e Thethit vijon të jetë problem për banorët e zonës. Një problem me të …