Monday , 18 November 2019

LULZIM BASHA PËRKUJTON KRYENGRITJEN E POSTRIBËS

Kryedemokrati Lulzim Basha, ka përkujtuar sot 73-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, duke e cilësuar atë si të parën kryengritje antikomuniste në Evropë. Në deklaratën e tij Basha dërgon edhe një mesazh teksa thotë se krenaria e xhelatëve ka një frymëzim shtetëror pasi strukturat e shtetit janë të angazhuara për restaurimin e pushtetit të bijve të nomenklaturës. Ai thotë se kjo e kthen pas Shqipërinë dhe e ridërgon atë në hapsirat antidemokratike e orientale të lindjes.

“Në 73-vjetorin e Kryengritjes madhështore të Postribës, 9 shtatorin e 1946-s, çdo shqiptar patriot përkulet me nderim para qindra burrave, intelektualëve, malësorë e klerikë të të gjitha besimeve, që frymëzuan e u ngritën në të parën kryengritje antikomuniste në Europë. Kryengritja tronditi nga themelet regjimin gjakatar që si vegël e verbër e dhunës staliniste ishte vënë në gjueti të të gjithë patriotëve në të gjithë Shqipërinë, të cilët e donin vendin e tyre, të lirë e të pavarur nga pushtues ashtu si etërit themelues e kishin shpallur me 28 nëntor të 1912-s. Në raportimet zyrtare të Sigurimit të Shtetit dëshmohet gjuetia e shëmtuar që strukturat e Sigurimit kryen ndaj popullsisë, jo vetëm në Postribë, por edhe në Shkodër, në Malësinë e Madhe, në Pukë e në Mirditë, të kapluara nga paniku se Postriba do të shërbente si një burim frymëzimi.

Gjuetia njerëzore nuk njihte as kanun e as ligj. Forcat e verbra të Sigurimit, e pushkatuan Ymer Beqirin në vend të të birit, Sadikut, në një akt zëvendësimi të viktimës, që s’njeh kurrfarë kodi zakonor, e morën zvarrë Osman Hysenin e plagosur, nga Hoti i Ri e deri në fshatin Mes, ku e pushkatuan dhe e lanë të pavarrosur. Aktet makabre u kryen jo vetëm ndaj drejtuesve të Kryengritjes, Osman Haxhisë, Jup Kazazit, Idriz Tahirit e të tjerëve, por edhe ndaj familjeve të tyre e fshatrave të tëra pa dallim. Djegia e fshatrave nxorri zbuluar mizorinë e regjimit si një palë pushtuese që s’kishte asgjë të përbashkët as me idealin çlirimtar, e as me pallavrat për progres shoqëror. Kryengritja e Postribës u pasua nga Masakra shtetërore e Postribës. Por për zbardhjen e emrave të urdhëruesve të kësaj masakre, shteti shqiptar bëri shumë pak në këto 30 vjet. Në vend të një ndjese të pandërprerë për dhunën në përmasa genocidale të ushtruara ndaj zonave të tëra të vendit, sot e kësaj dite shohim, dëgjojmë e lexojmë justifikime nga pseudo-historianë e politikanë të paskrupullt, se regjimi komunist ishte i detyruar të kundërpërgjigjej ashtu, se në fund të fundit dhuna shtetërore ishte një mbrojtje legjitime, se pushteti u mor me pushkë e natyrisht edhe duhej mbrojtur me armë. Kjo mendësi dhe mënyrë veprimi në thelb antishqiptare, ka dalë këto vite nga tulatja, dhe në hapësirat publike tashmë nuk përkujtohet Kryengritja, trimëria, por masakrat shtetërore ngrihen në piedestal si “fitore të shtetit shqiptar”, si “faqe e lavdishme e historisë”.

Pasardhësit e xhelatëve po tentojnë ta kthejnë sërish në kulturë zyrtare përkujtimin e masakrave shtetërore dhe po synojnë të nxjerrin nga diskursi publik përkujtimin e qëndresës ndaj diktaturës dhe të heronjve që ranë në përpjekje për liri e dinjitet. Në 73-vjetorin e Kryengritjes madhështore të Postribës më duhet të pranoj se kjo krenari e xhelatëve fatkeqësisht ka një frymëzim shtetëror. Struktura të shtetit janë angazhuar ethshëm për restaurimin e pushtetit të bijve të nomenklaturës dhe me forcën e propagandës e të strukturave të pushtetit po kërkohet të tulasin ish-të përndjekurit politikë, po tentohet t’i getoizojnë ata në cep, jashtë jetës publike, jashtë angazhimeve civile e jashtë përpjekjeve legjitime për të marrë pjesë në pushtet e në ndërtimin e shtetit. Ky restaurim kumtëzi e kthen pas Shqipërinë, e ridërgon atë në hapësirat antidemokratike e orientale të Lindjes. Por kjo përpjekje që shkon në kundërshtim me idealet perëndimore të heronjve të Postribës dhe me aspiratën e mbarë shqiptarëve për integrim në Perëndim, nuk ka për të patur sukses. Pasardhësit e heronjve të Postribës, ata që themeluan Partinë Demokratike me idealin e Shqipërisë si Europa, janë krenarë për historinë e tyre dhe e kanë shndërruar atë në thesar, në një pasuri shpirtërore dhe mebdore që i ndihmon për ta kaluar edhe situatën aktuale.

Sakrifica e heronjve të Postribës do i ndihmojë të gjithë shqiptarët patriotë ta fitojnë betejën tinzare që pasardhësit e xhelatëve u kanë vënë përballë, atë të kthimit në Lindje. Shqiptarët do ta fitojnë këtë betejë të pamerituar në nderim të heronjve të Postribës, por edhe për të garantuar të ardhmen e fëmijëve tanë, një të ardhme të merituar në gjirin e kombeve demokratike të Perëndimit. Lavdi përjetë kreshnikëve të Kryengritjes së Postribës! Zoti e bekoftë Shqipërinë!” – shkruan Basha.

Lexoni dhe kete

RESTAUROHET KISHA E “SHEN PREMTES” NE BALLDRE

Kisha e “Shën Premtes” në Balldre të Lezhës monument kulture i kategorisë së parë i …