Monday , 21 January 2019

MBROJTËSI MALOTA BASHKOHET ME VLLAZNINË NË STËRVITJE

Ashtu siç premtoi trajneri Lika dy ditë më parë në prononcimin e tij, mbrojtësi Renato Malota i është bashkuar ekipit të Vllaznisë ditën e sotme në stërvitje. Pavarësisht zhurmës së krijuar rreth tij, shtatëlarti lezhjan duket se do të vazhdojë të jetë pjesë e kuqeblu deri në fund të sezonit, për të respektuar kështu kontratën që ka me ta. Por, sakaq në adresë të tij së fundi mësohet se ka shprehur interes përveç ekipit të Kamzës edhe ai i Skënderbeut.

Drejtuesit e klubit Vllaznia e kanë bërë të qartë se lojtari nuk mund të largohet në asnjë mënyrë, por nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vazhdim, të ketë sërish zhvillime në këtë drejtim. E rëndësishme është që Malota ditën e sotme ka qenë në stërvitje me Vllazninë dhe do të vazhdojë të jetë edhe ditët e ardhshme dhe stafi teknik e ka në planet e tij për vazhdimin e sezonit.E ndërsa Malota paraditen e së hënës ka qenë i pranishëm në stërvitjen e Vllaznisë, ka vijuar të mungojë sërish rumuni Ignat.

Ai ende nuk është kthyer nga vendi i tij ku ka kaluar festat e fundvitit megjithatë kjo vonesë duket se nuk i shërben për mirë as atij dhe as ekipit. Sa i takon pjesës tjetër të skuadrës, të gjithë futbollistët kanë qenë të pranishëm në stërvitje duke zhvilluar seancën e rradhës. Ndërkohë pritet që brenda kësaj jave Vllaznia të zhvillojë një miqësore me një ekip të Superligës, emri i të cilit do të mësohet në ditët në vazhdim.

Lexoni dhe kete

VELEÇIKU MË ENTUZIAST PAS PËRFORCIMEVE TË FUNDIT

Katër lojtarët e afruar së fundi duket se e kanë forcuar edhe më shumë ekipin …