MBYLLET ÇËSHTJA “HASANI”, VLLAZNIA I JEP LEJE-KALIMIN

Vllaznia dhe Edon Hasani nuk do të kenë nevojë të shkojnë nëpër dyert e gjykatave por me një marrëveshje të përbashkët, kanë rënë dakord për ndërprerjen e bashkëpunimit duke shkëputur edhe marëdhëniet kontraktuale dhe ato financiare mes tyre. Për rrjedhojë, 25 vjeçari kësisoj nuk do të ketë pengesë për të vazhduar karrierën në Iran me ekipin e Sepahanit me të cilin ka arritur tashmë një marrëveshje paraprake. Fakti që klubi shkodran ishte I gatshëm ta çonte këtë çështje deri në Gjykatë, e ka detyruar Hasanin të kthehet të Shkodër dhe të ulet në tavolinën e bisedimeve për të gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit.

Nga sa merret vesh, pasditen e së martës por edhe paraditen e së mërkurës, ka patur një mbledhje të Bordit Mbikëqyrës të Klubit Vllaznia, ku ka marrë pjesë edhe administrator Gjyrezi dhe trajneri Gjoka. Pas shumë diskutimesh, mësohet se të gjitha palët kanë qenë të mendimit për të mos e penguar lojtarin të largohet. Pas kësaj, bisedimet me Hasanin kanë vazhduar në anën financiare teksa ai mësohet të ketë hequr dorë nga disa pretendime financiare por në këtë thuhet të ketë ndërhyrë edhe klubi I Sepahanit që ka qenë I gatshëm për të patur edhe një shumë financiare të vogël, vetëm e vetëm që të mos humbte shërbimet e këtij lojtari.

Në këto rrethana, e gjithë çështja është mbyllur me mirëkuptim dhe këtë gjë e ka pranuar edhe vetë mesfushori me një pohim të shkurtër në rrjetet sociale por me siguri që në orët në vazhdim, do të ketë më shumë informacion nga palët në lidhje me akordin e arritur. E rëndësishme është që Edon Hasani tashmë do të nisë në aventurë të re larg Shqipërisë, pikërisht në Iran me ekipin e Sepahanit.

Lexoni dhe kete

“VLLAZNIA B” TË SHTUNËN NË BURREL. I MJAFTON BARAZIMI

Pas fitores ndaj Tërbunit javën që shkoi, “Vllaznia B” ka hedhur hapin e parë drejt …