MESAZHI I MYFTIUT TE SHKODRES PER MUAJIN E RAMAZANIT

Mesazhi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Muajit Ramazan 1439

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Të dashur dhe të nderuar, motra dhe vëllezër, bashkëqytetarë të shtrenjtë!
Ditën e mërkurë, më 16 maj 2018, rreth dy miliardë njerëz në mbarë botën nisin një marrëdhënie të re me veten, me kohën, me ushqimin dhe pijen, me familjen dhe punën, me Zotin dhe hakun e Tij në jetë! Përse?
Kjo është pyetja që ngacmon herë pas here mendjen dhe zemrën e shumë njerëzve në botë. A ka Zoti nevojë për agjërimin tonë, për adhurimet dhe lutjet, për bamirësitë dhe altruizmin, për pendimin dhe rregullimin e asaj çfarë është prishur në jetën tonë, për zekatin dhe përkrahjen që të pasurit japin për të varfrit, për humanizmin dhe paqen, për të cilat mundohemi dhe përpiqemi çdo ditë drejt lartësimit në gradët më të larta të dëshmimit tonë si Njerëz të shtruar e të mbarë, që tokën ndërtojnë me sakrificat e tyre, që ligjet mbrojnë me përkushtimin e tyre, që garanci për tjetrin dhurojnë me besimin dhe dashninë e tyre, që të keqen luftojnë me urtësinë dhe vendosmërinë e tyre, që dorë për dore me krejt vullnetmirët bashkëpunojnë, për të mirën e familjes së madhe njerëzore dhe forcimin e shtyllave të paqes sociale dhe asaj globale?
A ka Zoti nevojë për krejt këtë dhe përtej kësaj, prej veprave dhe sjelljeve tona, adhurimeve dhe sakrificave të ndryshme? Në fakt, jemi pikërisht ne, ata që kanë nevojë për besimin dhe qetësinë, për paqen dhe sigurinë, për altruizmin dhe bamirësinë, për pendimin dhe kthimin në origjinën e ndërtimit të vlerave, mbështetur mbi pragun e besimit dhe fesë!
Njeriu i sotëm pa moralin e besimit në All-llahun e Plotfuqishëm, Mëshirues, Mëshirëbërës, dështoi në ruajtjen e ekuilibrave të jetës, e vrau vëllanë e tij njeri, i pushtoi tokën, i dogji pasurinë, i shkatërroi trashëgiminë, i mbyti ëndrrat, i hirtësoi qiellin, i nxiu jetën, i preu hovin e zhvillimit, përhapi drogën dhe alkoolin, imoralitetin dhe devijimet flagrante nga natyrshmëria në të cilën e krijoi Zoti, i kërcënoi paqen dhe sigurinë, stabilitetin dhe pasurinë.., dhe në fund, vazhdoi i qetë rrugën drejt altareve të vetëhyjnizimit, duke harruar se përgjatë historisë së njerëzimit, krejt idhujt janë shembur, krejt tiranët janë mundur, krejt krimet janë dënuar, krejt devijimet nga natyrshmëria me të cilën Zoti e zbukuroi jetën mbi tokë janë pastruar, ashtu siç Zoti ka urdhëruar!
Atëherë, përse njeriu pa besim e mashtron veten e tij dhe mendon se forca dhe pushteti i përkohshëm, pasuria dhe shoqëria e keqe, humbja e kohës pas epsheve dhe intrigave të shejtanit, përpjekja për të ndërtuar mbi kurriz të hakut të tjetrit, korrupsioni dhe mashtrimi, do ta lartësojnë e do t’I falin lavdi?! Sa gjynah për këtë lloj!
Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit vjen pikërisht për qëllimin e lartë të afrimit tonë me vlerat e përkushtimit dhe përsosjes së cilësisë së besimit, duke na mbuluar me pelerinën e mëshirës hyjnore, faljes dhe garantimit të shpërblimeve pa fund, në këtë jetë dhe në të përtejmen!
Hapjani dyert e zemrave All-llahut, përgjigjuni ftesës së Tij, dëshmojeni veten muslimanë të përkushtuar, që asgjë nuk kanë mbi besimin dhe Zotin, prej ku marrin forcë dhe energji pozitive për të dashur e vështruar me sytë e mëshirës dhe paqes çdo gjë; tokën, atdheun, njeriun, krejt krijesat, vetë jetën!

All-llahu ju dashtë e ju bekoftë!
Me zemër të mirë Ramazanin 1439!
Shkodër, më 15 maj 208

 

Lexoni dhe kete

ASNJE NDERHYRJE NE “UREN E VDEKJES” NE KURBIN

Në adriatik të Kurbinit situata mbetet e njejtë.10 ditë pas aksidentit ku humben jeten 3 …