Wednesday , 24 July 2019

META FTON PARTITË NË ZGJEDHJET E 13 TETORIT

Në ditën kur mazhoranca pritet të mblidhet në seancë të posaçme për të votuar ngritjen e komisionit hetimor për Metën, Presidenti i Republikës ka dalë mëngjesin e kësaj të hëne me një qëndrim për situatën ligjore mbas 30 qershorit dhe zgjidhjen e krizës. Presidenti thotë se akti i tij për çdekretimin e 30 qershorit është mbështetur tërësisht në dispozitat e Kushtetutës dhe bazuar në argumente plotësisht Kushtetues. Po sipas Kreut të Shtetit, dekreti për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor.

Sipas Presidentit, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Meta thotë se rrëzimi i padisë së Partisë së Unitetit Kombëtar nga Kolegji Zgjedhor nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Për Kreun e Shtetit, e gjithë veprimtaria zgjedhore e organizuar dhe zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019 është një proces votimesh tërësisht i paligjshëm, antikushtetues dhe që nuk krijon asnjë pasojë juridike. Presidenti nënvizon gjithashtu se Kolegji Zgjedhor në Shqipëri përbëhet nga gjyqtarë dhe nuk ka për kompetencë të shqyrtojë as pretendimet e Presidentit të Republikës dhe as Dekretet e nxjerra prej tij. Në këtë mënyrë, krahasimi që u bëhet dy Kolegjeve Zgjedhore (amerikan dhe shqiptar) nuk qëndron dhe është tërësisht i gabuar, thotë ai. Duke kujtuar dekretin për caktimin e datës së re të zgjedhjeve, Meta thotë se ky akt ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. “Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë caktohen për t’u zhvilluar ditën e diel, në datën 13 tetor 2019” dhe do të mbahen ligjërisht në këtë datë. Ky akt ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Ky akt i është përcjellë menjëherë për zbatim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Duke vënë në dukje këtë situatë të qartë ligjore se nuk ekzistojnë ligjërisht zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke ritheksuar se dekreti i 13 tetorit është një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, Presidenti i Republikës i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit . Po kështu, duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës. “Është koha për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve të Shqipërisë” – përfundon Meta.

Lexoni dhe kete

BASHA: DO TË HETOJMË GRABITËSIT E SHQIPËRISË

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një dalje për mediat u shpreh se kapja …