Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka publikuar të dhënat e Eurostat për numrin e azilantëve ekonomikë për 10 mijë banorë, bazuar tek periudha 2014-2019.
Meta thotë se Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e azilantëve ekonomikë, dhe një shqiptar sot ndihet më i pashpresë se një sirian, iraken dhe afgan.
Në postimin e plotë në facebook, Meta shkruan:
“Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e azilantëve ekonomikë, duke lënë pas edhe vende të sapodala nga lufta dhe konfliktet civile. Një shqiptar ndihet sot më i pashpresë se një sirian, iraken dhe afgan.
Lufta efikase kundër varfërisë, zhdukja e monopoleve, anulimi i koncensioneve korruptive, rritja e prekshme e pagave dhe pensioneve, hapja e vendeve të reja të punës, ulja e taksave, krijimi i shanseve dhe i mundësive të reja për të rinjtë e ndalojnë shpopullimin.
KOHA PËR TË MENDUAR DHE VEPRUAR PËR SHQIPTARËT!”