Saturday , 31 October 2020

META MBËSHTET DRAFTIN E OPOZITËS PËR KODIN ZGJEDHOR

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik, e cila dorëzoi dje draftin me disa kërkesa, ku kërkohej hapja 100% e listave.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ kreu i shtetit theksoi se opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensusin, ndërsa shton se Rilindja kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.

“Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje.

Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.

Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja.

Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit. Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve.

Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.

Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit.

Koha për reflektim!” – shkruan presidenti Ilir Meta.

Lexoni dhe kete

BEQAJ: I PA KËNAQUR NGA PËRFORMANCA E KËSHILLIT BASHKIAK SHKODËR

“Nuk jam i kënaqur me jetën politike që bënë Këshilli Bashkiak i Shkodrës sot”. Ka …