Sunday , 27 September 2020

MIQËSORJA/ VLLAZNIA HUMB 1-2 NDAJ TIRANËS

Vllaznia është mundur me rezultatin 2-1 nga Tirana në miqësoren e rradhës, atë të luajtur pasditen e së martës në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit. Kjo është humbja e dytë për kuqeblutë në shtatë miqësoret e luajtura në këtë prag- sezoni. Dhe në fakt ishte një humbje e dhuruar nga vetë futbollistët shkodranë me gabimet e bëra në mbrojtjes. Takimi ka nisur më mirë për ekipin e Vllaznisë që ka kaluar në avantazh në minutën e 17-të. Ka qenë një pengim në zonë i brazilianit Viktor Da Silva që është shoqëruar me akordimin e 11-metërshit nga ana e arbitrit Kridens Meta dhe nga pika e bardhë sulmuesi Dunga nuk ka gabuar.

Kur u duk se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e ekipit kuqeblu, ka ardhur një gabim i mbrojtësit Isufi që nuk arrin ta largojë siç duhet topin nga zona dhe më pas, edhe nën presionin e sulmuesit Muçi, e dërgon atë në rrjetën e portës së tij. Megjithatë duhet thënë se në pjesën e parë Vllaznia ka luajtur më mirë.

Në të dytën niveli i saj bie disi dhe sidomos në minutat e fundit kur Tirana krijon 2-3 mundësi të pastra shënimi. Në minutën e 84-të do të ishte një gabim në pasim i Krymit që i ka dhënë mundësi Avdiajt të shënonte golin e dytë dhe të fitores për bardheblutë. I gjithë takimi kësisoj është mbyllur me rezultatin 2-1 për ta ndërkohë që shkodranët rregjistrojnë humbjen e dytë në ndeshjet miqësore.

Vllaznia me siguri që do të zhvillojë sërish ndonjë miqësore tjetër në këtë periudhë të prag- sezonit por ende nuk ka ndonjë kundërshtar të deklaruar.

Lexoni dhe kete

DREJTUESIT E ATLETIKËS MBËSHTETJE MORALE VILDAN TUFIT

Trajneri i mirënjohur i atletikës Vildan Tufi prej disa kohësh nuk po kalon një gjendje …