MUNDËSI QAMIL BAJRAMI BRAKTIS SPORTIN. LARGOHET JASHTË

Largimi i sportistëve cilësorë nga Shkodra dhe Shqipëria vijon sërish. Pas largimit të disa boksierëve e volejbollistëve cilësorë, rradha i ka ardhur një tjetër sportisti kampion për ta ndërmarrë një hap të tillë. Bëhet fjalë për mundësin Qamil Bajrami. Dy herë kampioni i Shqipërisë ka vendosur të ndërpresë karrierën sportive dhe të largohet jashtë vendit për të synuar një jetë më të mirë sepse e ka parë që me sport nuk siguron asgjë. Ky padyshim që është një nga absurditetet e sportit shqiptar aktualisht.

Ndonëse jemi në vitin 2017, ndonëse vetëm pak muaj më parë doli një ligj i ri për sportin, sërish asgjë nuk ka ndryshuar për sportistët elitarë. Ata vazhdojnë të fitojnë tituj kampionë, vazhdojnë të përfaqësojnë denjësisht vendin edhe në aktivitetet ndërkombëtare megjitatë përfitimi financiar i tyre është thuajse i papërfillshëm. Kështu ndodhi edhe me Qamil Bajramin, një nga mundësit më të mirë të vendit.

Pavarësisht stërvitjes së tij në kushte skandaloze, ia ka dalë të shpallet dy herë kampion i Shqipërisë duke treguar vlerat e tij më të mira dhe duke rikthyer periudhën e sukseseve të mundjes shkodrane me aq shumë traditë. Por puna shumëvjeçare e trajnerëve Nazmi Elezi dhe Dedë Bregu për të nxjerrë këtë sportist, tashmë është shumëzuar me zero. Ata e kanë shumë të vështirë ta zëvendësojnë Qamil Bajramin sepse me të dhënat e tij ka pak sportistë. Për këto arsye, sidomos në Shkodër nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i gëzohemi sukseseve momentale të sportistëve cilësorë të saj dhe më pas, të mërzitemi për largimin e tyre jashtë vendit, shumica madje duke e braktisur përfundimisht sportin.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA U-15 SHPALLET KAMPIONE PËR ZONËN E VERIUT

Vllaznia U-15 është kampionia e parë e shpallur për sezonin 2017-2018 në futbollin e moshave …