“NATA E BOKSIT”, TRIUMFON KUÇI DHE 5 SHKODRANË TË TJERË

“Nata e boksit”, aktiviteti i organizuar mbrëmjen e së enjtes në Tiranë nga kampioni i Botës Elis Guri, ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme jo vetëm nga ana e spektaklit por edhe në sukseset e sportistëve tanë në ring. Kanë spikatur fitoret e gjashtë boksierëve shkodranë të cilët kanë triumfuar ndaj kundërshtarëve të tyre por spikat padyshim ajo e boksierit profesionist Jetmir Kuçi ndaj kundërshtarit të tij grek. Kuçi me përvojën e tij të jashtëzakonshme e ka vënë shpeshherë në vështirë rivalin e tij, madje duke e kaluar edhe në gjendje nokdauni por në fund ka triumfuar me pikë. Kjo ka qenë fitorja e tetë për të në boksin profesionist. Por përveç tij ka triumfuar dhe Arjon Kajoshi ndaj moldavit Gumeniu dhe po ashtu edhe Syrjan Marinaj ndaj një kundërshtari po nga Moldavia.

Ka fituar dhe Bekim Vjerdha ndaj Xhek Gashit ndërkohë që Albert Kapaj ka fituar ndaj Palucës. Në këtë mbrëmje ka patur edhe një ndeshje femrash ku shkodrania Eridita Selaj ka fituar me nokaut ndaj kosovares Alije Hamiti. Po ashtu, ka patur edhe një ndeshje të rinjsh ku boksieri i Vllaznisë Leonard Ara ka fituar ndaj vlonjatit Zeneli. Në këtë mënyrë, “Nata e Boksit”, evenimenti shumë i veçantë i organizuar për herë të parë në vendin tonë në këtë mënyrë, ka përfunduar me një kurorëzim të plotë të shkodranëve. Sfidat e zhvilluara në sallën sportive “Feti Borova” kanë dhuruar shumë rivalitet dhe kanë kënaqur sportdashësit e pranishëm. Padyshim që boksi dhe sporti shkodran kanë nevojë për të tillë aktivitete dhe merita kryesore për të, i shkon një tjetër shkodrani, Elis Gurit. Ideja e tij për të promovuar kampionët e sportit shqiptar ka filluar të vihet në realitet dhe pas “natës së boksit” me siguri që do të ketë edhe të tjera aktivitete të tilla dhe jo vetëm në boks.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA, 80 % E LOJTARËVE ENDE NËN KONTRATË

Zhurma e krijuar ditët e fundit në lidhje me një eksod të mundshëm të lojtarëve …