PERKEQESOHET SITUATA, MBI 2.050 HEKTARE TOKE BUJQESORE NDODHEN NEN PUSHTETIN E UJIT

Reshjet e shiut të rëna në ditët e fundit kanë përkeqësuar situatën në territorin e Bashkisë Shkodër. Pas inspektimeve në terren të bëra nga Bashkia Shkodër, në Njësitë Administrative të përmbytura situata vazhdon të jetë në përkeqësim të vazhdueshëm dhe sipërfaqja totale ka arritur mbi 2.050 Ha. Janë mbi 560 ha tokë të përmbytura në Njësinë Administrative të Dajçit. Niveli i ujit ka pësuar rritje dhe kalimi bëhet i mundur me mjete të larta.

Nga përmbytjet janë dëmtuar kultura të dyta foragjere, jonxhe, bimë dekorative dhe të tjera. Në lagjen Zadrimë, në fshatin Shirq janë të bllokuara nga uji 17 familje dhe në fshatin Mushan 4 familje. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit afërsisht në 300 m gjatësi. Në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata vijon të jetë e përkeqësuar dhe paraqitet më e rënduar.Në Obot kalimi bëhet i mundur vetëm me varka. Niveli i ujit ka pësuar rritje dhe janë mbi 1200 ha tokë të përmbytura. Në njësinë administrative Ana e Malit Ujësjellsi Oblika1, si pasojë e përmbytjeve, është jashtë funksionit. Bashkia Shkodër me anë të dy mjeteve autobotë ka bërë dhe po bën furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm.

Në njësinë administrative Rrethina janë të përmbytura 120 Ha tokë. Edhe në zonën e Livadheve janë të përmbytura 50 ha. Ndodhen 6 shtëpi me prezencë uji rreth tyre. Në njësinë administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore.Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës. Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës. Por, edhe pse kjo kërkesë është përsëritur disa herë, akoma Bashkia Shkodër nuk ka një përgjigje zyrtare. Sipas bashkisë, situata e krijuar është si rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.

Lexoni dhe kete

“VRASJET E PRINDERVE NGA FEMIJET DHE MUNGESA E BESIMIT NE ZOT”

Nga xhamia “Ebu Beker” e qytetit të Shkodrës, myftiu i Shkodrë, imam Muhamed Sytari, mbajti …