PISTA E STADIUMIT “LORO BORIÇI” DO SHTROHET NGA E PARA

Ankesat e Bashkisë Shkodër por edhe të sportistëve dhe trajnerëve të atletikës së Vllaznisë më në fund duket se kanë marrë vëmendjen e duhur. Pista e stadiumit “Loro Boriçi” do të kapet sërish në dorë dhe kompania që ka kryer punimet e saj të para, do të jetë e detyruar ta shtrojë tartanin sërish nga e para.

Si rrjedhojë e degradimit të gjendjes së tij, në këtë pistë ka qenë e pamundur të bëheshin gara zyrtare. Pista e tartanit u shtrua në muajt e fundit të vitit 2017 por vetëm pak muaj më pas, dolën në pah problemet e mëdha të saj.

Tartani është çarë në disa vende dhe po ashtu, në pjesën më të madhe të saj ka degraduar duke e bërë këtë pistë të papërdorshme jo vetëm për garat zyrtare, por edhe për seancat e zakonshme stërvitore. Prej muajsh në fakt ka patur jo pak debate në lidhje me këtë çështje sepse shteti kishte investuar shuma të konsiderueshme për shtrimin e kësaj piste dhe kjo ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit si autoriteti kontraktor i këtij investimi, të hedhë në gjyq kompaninë që është marrë me shtrimin e saj.

Gjyqi mësohet se ka përfunduar para pak ditësh dhe vendimi ka qenë në favor të Federatës, çka do të thotë se kompania do të jetë e detyruar ta heqë tartanin aktual dhe të vendos të riun nga fillimi.

Procesi pritet të nisë brenda pak ditësh dhe padyshim që ky është një lajm i mirë edhe për atletët shkodranë. Kjo do të thotë se për vitin 2021 mund të planifikohen edhe aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare për t’u zhvilluar në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”.

Lexoni dhe kete

SMAJLAJ & BURRAJ NË POLONI PËR EUROPIANIN

Dy atletët shkodranë Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj që prej ditës së dielë ndodhen në …