Saturday , 19 October 2019

PRESIDENTI ILIR META “MBESHTET” OPOZITEN

37 ditë nga data 30 Qershor kur janë përcaktuar për t’u zhvilluar zgjedhjet lokale, Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaron se është gati që të rishikojë dekretin për të ndryshuar datën për t’i shtyrë në funksion të zgjidhjes së krizës politike.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit, kreu i shtetit thotë se me vullnetin e palëve është gati që të caktojë një datë tjetër për zgjedhjet lokale për të rrëzuar kështu 30 qershorin.

“Presidenti i Republikës përsërit shqetësimin e thellë mbi krizën kushtetuese, institucionale, politike dhe të përfaqësimit ku ndodhet vendi. Thellimi i dallimeve mes palëve dhe kokëfortësia për mohimin e kësaj krize kanë vështirësuar edhe më tej gjetjen e rrugëdaljeve të arsyeshme dhe të qëndrueshme nga kjo gjendje që po rrezikon stabilitetin dhe demokracinë në vend. Me angazhimin maksimal si Kreu i Shtetit, kam bërë thirrje të përsëritura për prapësimin nga kjo rrugë e konfliktit, duke u ofruar për të dhënë çdo kontribut dhe për të bërë gjithçka që do të afronte palët politike drejt një zgjidhjeje, që ka në themel interesin kombëtar dhe rrugëtimin e pandalshëm evropian të Shqipërisë.
Gjithashtu, si Kryetar i Shtetit, kam përgjegjësinë kushtetuese të respektoj dhe mbroj parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke evidentuar gjithashtu çdo rast kur këto parime rrezikojnë të kërcënohen. Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur. Unë kam përgjegjësi kushtetuese, që brenda caqeve që Kushtetuta më lejon, të siguroj respektimin, në formë e në përmbajtje, të Kushtetutës. Ndaj: me përgjegjësi për të ardhmen evropiane të vendit; e vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut; me frymën e tolerancës, në funksion të paqes, mirëqenies dhe solidaritetit shoqëror;
shpreh angazhimin tim për të përmbushur përgjegjësinë kushtetuese për të garantuar unitetin e popullit dhe parimet bazë të bashkëjetesës demokratike, që rrezikohen nga kriza politike në vend.
Në këtë kuadër, shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike.” Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve. Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.” – thuhet ne njoftimin per media te presidentit Meta.

Lexoni dhe kete

“EDI RAMA, KAMPION I VJEDHJES SË QYTETARËVE SHQIPTARË”

“Edi Rama është kampion i vjedhjes së qytetarëve shqiptarë dhe rritjes së borxhit që secili …