Wednesday , 30 September 2020

PRESIDENTI META KTHEN NJË TJETËR LIGJ

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”. Ky ligj, me përmbajtjen e miratuar, nuk mund të bëhet kurrsesi pjesë e legjislacionit të Republikës së Shqipërisë, thekson Presidenti, ndërsa rendit të gjitha arsyet.

Ligji nr. 102/2020, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, bie hapur ndesh:
-me disa dispozita të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,
-me parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar dhe
-ligjin nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo- territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Qëllimi i qeverisë përmes këtij ligji është përqendrimi dhe kontrolli i pushtetit vendor nga aparati i Këshillit të Ministrave, ndërkohë që pushteti vendor sipas Kushtetutës duhet të funksionojë i decentralizuar dhe autonom në veprimtarinë e tij (neni 13 i Kushtetutës). Këshillit të Ministrave përmes këtij ligji i jepet autoritet që të vendosë se cilat do të jenë 4 (katër) rajonet e zhvillimit dhe kufijtë e tyre. Por e drejta për të vendosur mbi kufijtë e njësive administrative territoriale i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë, i cili mund ta bëjë këtë vetëm mbi bazën e asaj që përcakton Kushtetuta.

Një ndarje e tillë në rajone zhvillimi, kufijtë e të cilave përcaktohen sipas nenit 4, nga Këshilli i Ministrave, në mungesë konsultimi me banorët e secilës zonë, ka ndikim direkt në mënyrën e orientimit të politikave zhvillimore në këto zona, duke krijuar një ndarje të re, të cilën Kushtetuta nuk e njeh. Kjo ndarje antikushtetuese dhe arbitrare, kufizon direkt çdo iniciativë që mund të kenë dhe ndërmarrin, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, organet e qeverisjes vendore për të vendosur vetë për problemet që hyjnë në juridiksionin e tyre.

Ky akt ligjëron ushtrimin e pushtetit politik të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi ynë. Ky akt, miratuar njëkohësisht me ndryshimet Kushteteuse dhe ato në Kodin Zgjedhor, synon parapërgatitjen e forcës qeverisëse për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive politike.

Miratimi i ligjit nr. 102/2020, krijon struktura paralele, vetëm për të rritur pushtetin politik të qeverisë dhe për të kontrolluar çdo vendimmarrje deri në nivel vendor, duke anashkaluar parashikimet dhe organet e përcaktuara nga Kushtetuta. – shkruan nder te tjera presidenti Meta.

Lexoni dhe kete

AMULI: ME 25 PRILL, PD SHKODËR DO JETË 100% FITUESE NË ZGJEDHJE

Me 25 prill, Partia Demokratike dega Shkodër është optimiste për një rezultat pozitiv në zgjedhje. …