PRITEN NDRYSHIME TRAJNERËSH TEK EKIPET E BASKETBOLLIT

Pas ndryshimeve në drejtimin e ekipeve të volejbollit, tek Sportklub Vllaznia duket se kanë planifikuar të bëjnë ndryshime edhe në pankinat e ekipeve të basketbollit. Drejtuesit e klubit natyrisht që janë detyruar të ndërhyjnë në këtë drejtim duke pasë parasysh edhe dështimin e këtyre ekipeve në sezonin e fundit teksa asnjëri prej tyre nuk arriti të hynte në katërshen e ekipeve më të mira. Për këtë arsye, bëhet e ditur se mendohet që të ketë lëvizje si tek ekipi i meshkujve ashtu edhe tek i femrave. Njëkohësisht, thuhet se janë gjetur edhe zëvendësuesit e tyre por deri më tani, ato nuk janë bërë publikë ngaqë më parë duhen zyrtarizuar këto ndryshime. Ideja është që edhe tek ekipet e basketbollit duhet ndryshuar diçka për mirë.

Sidomos tek meshkujt, një ekip që ka qenë elitar por që tashmë nuk është më në të njëjtat nivele. Edhe tek ekipi i femrave në fakt ka vite që pritet një rritje e nivelit por ndoshta aty ka ndikuar edhe largimi i herëpashershëm i basketbollisteve nga Shkodra.  Nuk përjashtohet mundësia që lëvizje të ketë edhe tek ekipet e të rinjve dhe të rejave të basketbollit por periudha e verës që tashmë ka nisur, sikur i ka kaluar në plan të dytë këto lëvizje. Gjithsesi, drejtuesit e klubit duhet të marrin sa më shpejt një vendim sepse ekipet do të nisin përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Kjo do të thotë se tek shumësportëshi do të nisë në këtë mënyrë një reformë trajnerësh.

Tek volejbolli ndryshime tashmë janë bërë teksa ekipin e femrave do ta drejtojë Mark Kroqi ndërsa atë të meshkujve Ermal Kraja. Mbetet për t’u parë se kush do të jenë trajnerët që do të drejtojnë ekipet e basketbollit të Vllaznisë në sezonin e ri.

Lexoni dhe kete

ZYRTARE / JA SA KUSHTON KLUBI VLLAZNIA

Vlera e Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a., e përllogaritur për efekt shitje të aksioneve apo …