Monday , 16 September 2019

RAMA ‘LËSHON’ VALDRIN PJETRIN: NGA SOT NË RRUGË TË NDARA

Kryeministri Edi Rama bën një hap pas me kryebashkiakun e Shkodrës. Vetëm pak orë pasi Partia Demokratike publikoi dokumentin e questurës së Firences sipas së cilës Valdrin Pjetri ishte dënuar me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, përmes një postimi në twitter Rama distancohet dhe shkruan se deri në zbulimin e së vërtetës PS dhe Valdin Pjetri i ka rrugët e ndara.

“Jo Valdrini,po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!” shkruan Rama në Twitter.

Sipas dokumentit të publikuar nga PD, Pjetri u dënua më 21 qershor 2003 nga Gjykata e Firences Itali me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë. Madje ai vetë shprehet PD ka firmosur pranimin e fajësisë. Përmes rreshtave duket se Rama nuk e fsheh dot zhgënjimin.

“I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht. E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS!”

Ndërsa më parë kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri në një postim në facebook shkruan se e vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjensive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD. Por thekson se pret me padurim verifikimin e pastërtisë së figurës së tij.

“Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumenta zyrtare. E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjensive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD. Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane”.

Lexoni dhe kete

RROTACIONI NE KESHILLIN E QARKUT LEZHE

Rrotacioni i pushtetit në Këshillin e Qarkut Lezhë nuk ka kaluar pa incidente. N/kryetari i …