Sunday , 27 September 2020

RAPORTI I DASH, REAGON LULZIM BASHA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për ekonominë shqiptare.

Përmes një deklarate, kreu i opozitës theksoi se vetëm për këtë vit kishte 100 milion euro më pak investime të huaja. Sipas Bashës, investitorët e mëdhenj, strategjikë dhe seriozë, u zëvendësuan me kompani offshore, PPP dhe koncesionet korruptive.

Në postimin e plotë në facebook, Basha shkruan:

“Është alarmante situata e investimeve të huaja në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti, shifra e rënies së investimeve është 100 milionë euro. Çuarja e ekonomisë shqiptare buzë greminës së falimentit, është një nga shqetësimet kryesore të pasqyruara në raportin e përvitshëm të DASH, që rendit si arsye korrupsionin e qeverisë shqiptare, shkatërrimin e tregut dhe konkurrueshmërisë nga PPP-të, ligjet abuzive në lidhje me pronat dhe gjithashtu koncesionet korruptive.

Asgjë nuk e fsheh dot më rritjen e varfërisë dhe papunësisë, ekonominë e rrënuar dhe largimin masiv të shqiptarëve. Çdo raport ndërkombëtar flet qartas për mungesën e klimës pozitive për biznesin dhe investimet e huaja. Dy investitorët e vetëm strategjikë, TAP dhe Devolli, po e përfundojnë punën e tyre të nisur që në kohën e qeverisjes së PD. Në 7 vite, në Shqipëri ka mbizotëruar klima e largimit të investitorëve strategjikë dhe seriozë. Në vend të tyre lulëzuan kompanitë offshore, PPP-të dhe koncensionet, që veç korrupsionit në çdo hallkë, nuk ofruan asnjë shërbim cilësor apo përmirësim të jetës së qytetarëve.

Në këto kushte, një nga angazhimet e mia parësore, është që t’i kthej shqiptarëve mundësinë e tregut të lirë dhe frymëmarrjen konkurrencës së ndershme në çdo sektor të ekonomisë. Lufta kundër korrupsionit, anullimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze, që bashkë me zhvillimin ekonomik do të sjellë dhe rritjen e numrit të vendeve të reja të punës me paga dinjitoze.”

Lexoni dhe kete

“NËSE KA VULLNET POLITIK, SHQIPËRIA MUND TË KETË ZGJEDHJE TË LIRA”

Nga Shkodra, ambasadori britanik në vendin tonë, Duncan Norman, deklaroi se nëse ka vullnet politik, …