Wednesday , 13 June 2018

RAPORTI PER GJAKMARRJEN, 704 FAMILJE TE PREKURA

Shqipëria ka aktualisht 704 familje të prekura nga gjakmarrja, prej të cilave 591 jetojnë në Shqipëri ndërsa 113 prej tyre janë larguar jashtë vendit. Studimi u krye nga shoqata “Gjenerata e Re” me ndihmën e autoriteteve policore dhe OSHEE në 6 qarqet e prekura nga kjo dukuri: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Durrës. Ajo që vihet re është se Shkodra vijon të jetë e prekur më rëndë nga kjo dukuri tragjike me 156 familje në gjakmarrje, nga të cilat 17 janë të ngujuara, 47 familje u larguan jashtë vendit, ndërsa disa dhjetëra fëmijë braktisin shkollën dhe kanë nevojë për mbështetje psikosociale.

Qyteti brenda ka 76 familje në gjakmarrje, Vau i Dejës, 36, Malësi e Madhe 22, Puka 13, Fushë-Arrëzi 9 familje me gjakmarrje. Qarku i dytë më i prekur është Lezha me 102 familje në gjakmarrje, 6 nga të cilat janë ngujuar, 33 kanë lënë Shqipërinë. Në këtë qark Laçi ka 21 familje në gjakmarrje, më pak Lezha, Zejmeni, Shënkolli, Rubiku, Kacinari, dhe 15 njësi të tjera. Më pas vjen Dibra me 89 familje në gjakmarrje, por më shumë në këtë qark janë prekur Burreli, Bulqiza, e Klosi. Mënyrat kryesore për ta shmangur rrezikun është largimi jashtë Shqipërisë apo në zona të tjera brenda vendit.

Pjesa më e madhe e familjeve të prekura nga gjakmarrja jetojnë në varfëri dhe mjerim. Rëndesa ekonomike vjen nga izolimi dhe banesat e vogla pa siguri dhe pa kushte, sidomos për të sëmurët, të cilët nuk dalin dot as për të marrë shërbimin mjekësor. Konfliktet e gjakmarrjes trashëgohen nga vetëgjyqësi të vjetra e të reja. Halli më i madh mbeten fëmijët e pafajshëm, që ngujohen ose shkëputen nga shkolla, madje ka edhe nga ata që kanë lindur në ngujim.

Lexoni dhe kete

MUNGESA E TERMINALIT TE AUTOBUSEVE

Shkodra është një nga ata qytetet që nuk ka një terminal autobusësh. Me ardhjen e …