RENDOHET SITUATA NE ZONAT E PERMBYTURA TE NENSHKODRES

Në territorin e Bashkisë Shkodër vazhdojnë reshjet e shiut. Si rrjedhojë, situata e përmbytjeve vazhdon të jetë e përkeqësuar dhe sipërfaqja totale është mbi 2400 Ha. Janë mbi 780 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit. Kalimi vijon të bëhet i mundur vetëm me mjete të larta. Në lagjen Zadrimë, Marinaj dhe të Maçit në fshatin Shirq janë të bllokuara nga uji 20 familje dhe në fshatin Mushan 5 familje.  Në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata vijon të jetë e përkeqësuar, nderkohe në Obot kalimi bëhet i mundur me mjete të larta të ushtrisë. Mbi 1200 ha tokë janë të përmbytura.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit,në fshatin Obot nevojiten 60 palë çizme të gjata për banesat , 100 thasë miell për familje dhe 250 bidona ujë për banorë. Në njësinë administrative Bërdicë janë mbi 290 ha tokë e përmbytur. Në njësinë administrative Rrethina janë të përmbytura 70 Ha tokë. Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 60 ha. Në rrugën Et‘hem Kazazi ka prezencë uji dhe ndodhen 6 shtëpi me prezencë uji rreth tyre.

Në lagjen Ajasëm janë rreth 80 dynym tokë e mbuluar nga uji dhe si pasojë 5 familje të  cilat mbajnë rreth 100 krerë bagëti kanë vështirësi në sigurimin e ushqimit për to. Bashkia Shkodër insiston në kërkesën e saj për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë tëterritorit të saj pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin. Por, këtë të shtunë është zgjeruar harta e përmbytjeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës.

Sipas raportimeve nga terreni, përmbytjet janë shfaqur edhe në Njësinë Administrative Velipojë të Bashkisë së Shkodrës. Konstatohen më shume se 10 hektarë të pëmbytura në fshatin Baks i Ri. Pjesa më e madhe e sipërfaqes së përmbytur, rezulton e mbjellë me kultura bujqësore. Pavarësisht kësaj situate dhe shtimit të nivelit të ujit dhe sipërfaqes së përmbytur, dëmtimit të pronës, rrezikimit të jetës së banorëve dhe gjësë së gjallë, qeveria nuk shpall gjendjen e emergjencës civile në zonat e përmbytura të Bashkisë së Shkodrës.

https://youtu.be/-lb-bLKuHeY

Lexoni dhe kete

DOKUMENTAR MBI ARDHJEN E PAPA GJON PALIT 2

Pas meshës së mbajtur në katedralen e “Shën Shtjefnit” në Shkodër, u paraqit edhe një …