Wednesday , 19 December 2018

SAIMIR TAHIRI PERJASHTOHET NGA PS- ja, RAMA AKUZA PROKURORISE

Saimir Tahiri përjashtohet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe nga të gjitha forumet e partisë. Edi Rama, vendimin e grupit, e bëri publik në fund të fjalës së tij, duke u shprehur se tashmë ish-ministri i Brendshëm mund të hetohet si deputet i lirë. “Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën e Saimir Tahirit, por për të bërë detyrat e mëdha që kemi për të qeverisur Shqipërinë. Saimiri do të jetë deri në përfundim të këtij procesi një njeri i lirë dhe deputet i lirë për të bërë betejën e tij, ashtu si do ta mendojë ai jashtë forumeve të partisë dhe jashtë grupit parlamentar të PS”, tha Rama.

Vetëm dy ditë përpara seancës në Kuvend, ku deputetët do të votojnë pro apo kundër kërkesës së Prokurorisë për Krimet e Rënda për arrestimin e deputetit Tahiri, kryeministri bëri të qartë qëndrimin e socialistëve. “E papranueshme sepse është arbitrare, këtë bindje e mbështesim pa asnjë rezervë dhe kërkesën për arrest e refuzojmë unanimisht. Ndërkohë që për t’i dhënë prokurorëve të gjitha mundësitë e mundshme për kryerjen e një hetimi serioz, të thellë dhe shterues, përfaqësia jonë në raportin e vet ka nënvizuar pranimin e kërkesës së prokurorisë për: dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, ndalimin dhe detyrimin për qëndrimin në një vend të caktuar, garancinë pasurore, kontrollin personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Saimir Tahiri”, deklaroi Rama.

Në këtë dalje të parë publike, 4 ditë pas kërkesës drejtuar Kuvendit për arrestimin dhe hetimin e Tahirit nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Edi Rama nuk ngurroi të lëshojë akuza ndaj kësaj të fundit. “Të arrestojnë një deputet, pa e marrë në pyetje, le pastaj pa prova. Ku u gjet ky zell i panjohur i një prokurorie që nuk ka lëvizur një gisht që kur ka lindur. As për prova e fakte që shihen ashiqare si të dyshimta nuk kanë lëvizur, le më për përgjime. Kurrë. Asnjëherë. Hiç. Asnjë gisht nuk lëvizi kjo prokurori me një bilanc memec. Me 4 fletë bakalli duan të fusin në burg një deputet”, u shpreh Rama.

 

Lexoni dhe kete

VOTIMET, ZGJEDHJET VENDORE NE 2019/ JA SA SHQIPTARE MUND TE VOTOJNE

Ministria e Brendshme ka publikuar ekstraktin e parë të listave zgjedhore për zgjedhjet vendore, të …