Breaking News

SELAJ ME PROBLEME SHËNDETËSORE, MBYLL EUROPIANIN

Boksierja shkodrane Elsidita Selaj nuk do mundet të ngjitet në ring për gjysmëfinalen e Kampionatit Europian U22 që është duke u zhvilluar në Rusi. Arsyeja ka të bëjë me anën shëndetësore të saj dhe për rrjedhojë mjekët ia kanë ndalur vazhdimin e garës. Një gjë e tillë është konfirmuar për televizionin Rozafa nga vetë trajneri i saj Jetmir Kuçi. Sipas tij, gjendja shëndetësore e Elsidites nuk është e mirë dhe kjo e ka bërë të pamundur të vazhdojë rrugën drejt finales. Mësohet se boksierja shkodrane ka patur një infeksion në fyt dhe për rrjedhojë i ka sjellë temperaturë të lartë, prandaj dhe mjeket i kane rekomanduar të mos vazhdojë të ndeshet më.

Në këtë mënyrë, Elsidita Selaj nuk do të ngjitet në ring nesër ndaj boksieres ruse duke mos qenë në gjendje të vazhdojë të pretendojë për më shumë. Gjithsesi, medalja e bronztë që ajo fitoi në peshën 75 kg në Europianin që po zhvillohet në Rusi, është një arritje shumë e madhe e kësaj sportisteje, e cila në një hark kohor prej një viti, i ka dhënë Shqipërisë dy medalje të rëndësishme europiane. Vitin e kaluar u shpall nënkampione Europe për 18 vjeçarët në garat e zhvilluara në Itali ndërsa tani siguron edhe medaljen e bronztë në kampionatin europian të 22 vjeçarëve.

Një sportiste që padiskutim duhet të meritojë më shumë vëmendje e mbështetje sepse ajo mund të na dhurojë medalje edhe më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Të mos harrojmë se deri më tani, Elsidita Selaj nuk ka përfituar asnjë shpërblim financiar dhe të shpresojmë që me medaljen e Rusisë institucionet përkatëse ta shohin me një sy tjetër.

Lexoni dhe kete

EDHE E HËNA E GJEN VLLAZNINË PA TRAJNER

Dita e hënë pritej të kishte zhvillime tek Vllaznia sa i takon çështjes së trajnerit …