Wednesday , 26 June 2019

SFIDA SHQIPERI – TURQI, MASAT E POLICISE SHKODER

Policia e Shkodrës ka bërë publike masat e ndërmarra për ndeshjen kualifikuese EURO 2020 që do të luhet të premtën në ora 20:45 në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës, mes Shqipërisë dhe Turqisë. Kështu, në kuadër të planit të masave të marra nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, do të marrë një sërë masash teknike dhe organizative për, sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar një mbarëvajtje të aktivitetit sportiv. Për lëvizjen e automjeteve dhe parkimin e tyre do të përdoret Unaza e Qytetit Shkodër, si nga krahu lindor ashtu edhe nga krahu perëndimor. Për parkim të automjeteve në qytetin Shkodër do të përdoren këto vende:
Sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish Ndërmarrja e Fermentimit.
Gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale “Arben Broci”.
Sheshi tek stacioni i trenit të udhëtarëve.
Sheshi dhe rruga tek “Fusha e Druve” në unazën lindore.


Në rrugën “Bujar Bishanaku”, (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë ndalim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24.00. Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se kjo rrugë do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozave vendas dhe të huaj. Në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (ose sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24.00. Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “B. Bishanaku” dhe anasjelltas, nga ora 10.00 deri në ora 24.00. Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish poligonit të qitjes) nga ora 10.00 deri në orën 24.00. Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perime në Zdrale nga ora 10.00 deri në orën 24.00. Do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore:
o “Xhabije – Parrucë”
o “Sheshi 2 Prilli – Parrucë”
o “Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë”
o “Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20.45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 17.00. Policia kërkon mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe paisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të, sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.

Lexoni dhe kete

DORËHIQET DREJTORI I BURGUT TË REÇIT

Ndryshime në burgun e Reçit në Malësi të Madhe. Kështu, drejtori i këtij burgu, Gëzim …