Thursday , 6 October 2022

SHKODËR, FINALIZOHET OPERACIONI POLICOR I KODUAR “BUNA 2021”

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara, pas një hetimi disamujor të kryer nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar ”Buna 2021”.

Specialistët e Sektorit për Narkotikët, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe “Shqiponjat” e DVP Shkodër, gjatë operacionit bënë ekzekutimin e 6 vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për pjesëtarët e një grupi kriminal që merrej me shitjen e lëndëve narkotike në qytetin e Shkodrës, konkretisht:

A. C., 49 vjeç, E. C., 40 vjeçe, L. C., 19 vjeç, L. C., 21 vjeç, E. H., 44 vjeç dhe Gj. P., 34 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi R. I., 35 vjeç, me detyrë infermier pranë Spitalit Rajonal Shkodër dhe vijon puna për kapjen e tij. Por, në lidhje me infermierin Redi Idrizi ka reaguar Spitali Rajonal Shkodër, ku thekson se ky person nuk figuron i punësuar në Spitalin Rajonal Shkodër, por është pjesë e strukturave private të shpërndarjes së metadonit.

Ndërkohë, policia në njoftimin e saj vijon duke theksuar se nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se aktiviteti i këtij grupi kriminal është shtrirë gjatë një kohe të konsiderueshme në qytetin e Shkodrës, ku janë dokumentuar shumë raste të shkëmbimit të medikamenteve midis shtetasve R. I. dhe A. C.

Më pas, këto medikamente, të arrestuarit e tjerë ua shisnin personave të ndryshëm që ishin në terapi nga përdorimi i lëndëve narkotike. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 4 armë zjarri, 6 thika, një sasi metadoni, një automjet e sende të tjera.

Operacioni ka vijuar në unazën lindore të qytetit të Shkodrës. Bazuar dhe në informacionet e marra gjatë zhvillimit të operacionit, si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: I. I., 26 vjeç dhe V. P., 20 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre dy shtetasve dhe në banesën e shtetasit I. I., Policia gjeti dhe sekuestroi doza me kokainë, një sasi kanabisi dhe një armë zjarri pistoletë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Lexoni dhe kete

MAKINA PËRPLAS PËR VDEKJE KËMBËSOREN NË KURBIN

Një grua humbi jeten pasi u përplas nga një automjet në autostraden Milot-Thumanë. Aksidenti ndodhi …