SHKODRA GATI PËR AKTIVITETIN NDËRKOMBËTAR TË ATLETIKËS

Tashmë nuk ka më asnjë pengesë. Gjithçka duket gati për aktivitetin ndërkombëtar të atletikës të emërtuar “100 vjet atletikë Vllaznia” që do të organizohet nga Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës. Garat që do të zhvillohen ditën e premte datë 17 maj dhe do të startojnë në orën 15.00 dhe do të zgjasin deri rreth orës 18.00. Pas përfundimit të tyre pritet të zhvillohet edhe ceremonia për nderimin e disa figurave të shquara të atletikës shkodrane në vite. Garat e para që do të nisin në pistën e “Loro Boriçit” do të jenë ato 800 m si për femra ashtu edhe për meshkuj.

Më pas në pistë do të zbresin atletët e 100 metrave, për t’i lënë vendin sfidave të 400 metrave. Me emocione pritet gara e 200 metrave ku siç kemi thënë, do të tentohet të thyhet rekordi i saj pikërisht nga atleti i Vllaznisë Franko Burraj. Ndërkohë në fund të aktivitetit do të zhvillohen garat e kërcimeve, fillimisht ai së gjati dhe më pas trehapëshi. Edhe këtu priten rezultate të larta dhe pse jo edhe rekord kombëtar nga Izmir Smajlaj. Në garat që do të zhvillohen nesër në stadiumin “Loro Boriçi” pritet të ketë rezultate të larta. Për këtë arsye, sot do të mbërrijë në Shkodër dhe më pas do të montohet në pistë edhe matësi elektronik ose siç quhet ndryshe foto- finishi. Arsyeja është e thjeshtë: Do të tentohet thyerja e rekordit kombëtar në garën e 200 metrave nga atleti Franko Burraj dhe për ta zyrtarizuar atë duhet patjetër matja e kohës me matës elektronik.

Po ashtu priten rezultate të larta edhe në garat e tjera. Kupa “100 vjet atletikë Vllaznia” po pritet me mjaft interes në Shkodër dhe mendohet që të jenë të pranishëm në stadium shumë sportdashës. Atletët e Vllaznisë kanë kohë që përgatiten për këtë aktivitet dhe do të synohet patjetër një paraqitje sa më e mirë në të gjitha disiplinat ku ato do të marrin pjesë. Megjithatë pritet që të ketë konkurrencë sepse pjesmarrës do të jenë edhe atletë të ekipeve të tjera të vendit por edhe të ftuar nga Kosova e Maqedonia e Veriut.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA ZHGËNJEN NË FINALE, TRAJNERI CANAJ: DREJTUESIT DUHET TË NDËRHYJNË

Ndryshe nga sa pritej, Vllaznia ka bërë një paraqitje zhgënjyese në ndeshjen finale ndaj Bylisit. …