Tuesday , 22 October 2019

SHKODRA U-13 MUND TIRANËN DHE SHPALLET KAMPIONE

Ekipet përfaqësuese Rajonale të moshave të Zonës së Shkodrës janë vlerësuar ndër më të mirat e Shqipërisë në përfundim të kampionateve të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ky ka qenë kampionati I dytë që ajo ka organizuar me pjesmarrjen e ekipeve të gjashtë zonave. Në përfundim të tij ekipi I 13 vjeçarëve I Zonës së Shkodrës me trajnerë Elvin Beqirin dhe Avenir Danin është renditur I pari duke u shpallur kampion ndërsa ekipet U-15 dhe U-17 janë renditur në vendin e dytë duke u shpallur nënkampion. Një paraqitje kjo shumë e mirë që tregon edhe njëherë tjetër vlerat e futbollit shkodran. Ndeshjet e fundit të kampionatit, ato të javës së pestë, janë zhvilluar pasditen e së premtes dhe ekipet shkodrane kanë pritur në stadiumin “Loro Boriçi” ekipet e Zonës së Tiranës.

Të tre përballjet kanë qenë shumë interesante sepse luanin në mes tyre ekipet më të mira. Sa I takon përballjes së 13 vjeçarëve, Shkodra ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Tiranës dhe me 11 pikë të grumbulluara, falë 3 fitoreve dhe 2 barazimeve të arritura në pesë ndeshje, kanë zënë vendin e parë duke u shpallur kampion për këtë grupmoshë. Ndërkohë në sfidën e 15 vjeçarëve sërish shkodranët e drejtuar nga Astrit Prençi kanë fituar me rezultatin 2-1. Me 9 pikë, ata kanë zënë vendin e dytë pas Tiranës me një pikë më shumë që është renditur e para. Shumë interesant ka qenë ballafaqimi I 17 vjeçarëve. Ata vinin në këtë sfidë me nga 4 fitore secili dhe kush do të fitonte këtë ndeshje shpallej kampion. Shkodra U-17 e drejtuar nga Edi Martini e ka dominuar lojën, ka udhëhequr 2-1 deri 5 minuta para fundit dhe pikërisht atëherë, arbitri ka akorduar një 11-metërsh për tiranasit që e kanë shndërruar në gol.

Përfundimisht barazim 2-2 dhe ekipet kanë grumbulluar nga 13 pikë secili por me golaverazh më të mirë është Tirana që shpallet kampion ndërsa Shkodra është renditur e dyta. Në këtë mënyrë, këto kampionate tashmë janë mbyllur dhe ato konfirmuan edhe njëherë tjetër faktin se ekipet e Zonës së Shkodrës vetëm me ato të Tiranës rivalizojnë pasi ekipet e tjera të Durrësit, Fierit, Elbasanit dhe Korçës nuk janë në një nivel me ta.

Lexoni dhe kete

ÇINARI: KEQARDHJA QË I SHËNOVA VLLAZNISË, POR JAM PROFESIONIST

Fitorja 3-1 ndaj Vllaznisë i ka lumturuar të gjithë në kampin e kuq. Drejtori i …