Deklaratat e drejtorit Kroqi në “Sport Arena” në televizionin Rozafa, nuk kanë kaluar pa polemika. Ai në këtë emision, është shprehur se ka pësuar një zhgënjim shumë të madh nga ekipi i peshëngritjes i cili në kampionatin kombëtar u paraqit vetëm me një sportist….
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi në rrjetet sociale i Kampionit të Europës Erkand Qerimaj. Ai ka folur ashpër në adresë të drejtorit Kroqi i cili sipas tij nuk ka bërë asgjë për të rregulluar kushtet e stërvitjes së peshëngritjes të cilët i ka lënë të stërviten në kushte të turpshme. Ai po ashtu ka shkruar edhe në lidhje me mospërzgjedhjen në 10 sportistët më të mirë të klubit Vllaznia për vitin 2016 ndonëse i ka sjellë kupën e sportistit më të mirë të Kupës së Republikës për vitin e kaluar.
Akuzat e Qerimajt kanë qenë të rënda madje duke iu drejtuar drejtorit Kroqi, i kërkon atij të përgjigjet nëse mban përgjegjësi për shkrirjen e ekipit disa herë kampion të vendit e po ashtu, i përmend edhe nisjen e Kontrollit të Shtetit për verifikim të abuzimeve të fondeve. Në këtë mënyrë, tek peshëngritja ka plasur një akuzë e madhe por ajo që mbetet është mungesa e rezultateve. Se kush është fajtori për këtë gjë, kuptohet që nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është të rikthehen sërish rezultatet e larta të Erkand Qerimajt dhe të sportistëve të tjerë të Vllaznisë.