SHQIPËRIA “BEFASON” TURQINË. FITON 3-2 BRENDA NË ANTALYA

Kombëtarja shqiptare ka fituar një tjetër miqësore luksi ndaj Turqisë dhe sërish në transfertë, duke u konfirmuar “mace e zezë” sa u përket sfidave miqësore. Ishte fitorja e tretë në të tilla teste dhe të trija në Turqi. Shqipëria kësaj here ka fituar 3-2 në Antalia, duke treguar grintë, dëshirë dhe ego, ku spikatën Sadiku dhe Grezda me golat e tyre, por edhe Roshi me asistet. Kombëtarja shqiptare ka bërë një pjesë të parë shumë të mirë, duke fituar 2-0 me dy golat e Armando Sadikut. Shqipëria ka shënuar golin e parë në minutën e 24-t. Odise Roshi depërton mjaft mirë në krahun e  djathtë, hyn brenda zonës dhe pason për Sadikun, i cili e ka të thjeshtë për ta dërguar në rrjetë. Pak a shumë identik edhe goli i dytë në minutën e 39-të.

Odise Roshi merr mirë krahun e djathtë, kroson dhe është sërish Armando Sadiku që realizon, veçse kësaj here me kokë, edhe pse portieri arriti ta prekë. Me këto dy gola, Sadiku ngjitet në kuotën e 11 golave me fanellën kuqezi, duke barazuar Hamdi Salihin dhe kaluar Igli Taren dhe Sokol Kushtën, që kanë nga 10. Por në fundin e pjesës së parë, Memushaj ka marrë kartonin e dytë të verdhë dhe ka lënë Shqipërinë me 10 vetë. Me të filluar pjesa e dytë Turqia ka shënuar golin e parë, duke ngushtuar diferencën në 1-2. Por Eros Grezda ka shënuar një gol shumë të bukur në minutën e 56-të, duke shtangur spektatorët në Antalia. Duhet thënë se turqit kanë sulmuar më shumë në pjesën e dytë, por Berisha ka pritur në dy raste, ndërsa në rastin e golit nuk kishte mundësi ta evitonte.

Megjithatë, Akbaba për vendasit ka ngushtuar sërish rezultatin, duke shtuar entuziazmin në stadium në minutën e 61-të. Por vetëm kaq, mbyllet 2-3. Një fitore që vlen edhe në aspektin moral për kuqezinjtë tanë dhe për më tepër, konfirmohet fakti se Shqipëria edhe nën drejtimin e Panuçit do të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive dhe vazhdimit të ëndërrës së madhe për një tjetër kualifikim në një eveniment të madh sportiv siç është Europiani i ardhshëm.

Lexoni dhe kete

“VLLAZNIA B” MUND ORIKUN DHE MBETET NË KATEGORINË E PARË

Me shumë përpjekje e sakrifica gjatë gjithë sezonit, “Vllaznia B” ia ka dalë të sigurojë …