Wednesday , 1 April 2020

SHQIPËRIA E “GJYMTUAR” NGA EMIGRIMI

Shifrat nuk mund të gënjejnë dhe ato tregojnë se shqiptarët ndër vite janë larguar, gjysëm milioni në vetëm një ekadë. Shqiptarët po vazhdojnë të largohen, e më keq akoma, të rinjtë e këtij vendi, në masë, duan të ikin nga këtu. Shifrat tregojnë edhe se ky emigrim ka kosto shumë të larta, veç atyre sociale dhe demografike, që impaktin kryesor e japin në terma afatgjatë. Ka kosto konkrete, në rreth 120 milionë euro në vit për vendin tonë, sipas FMN. Po FMN jep edhe disa këshilla për qeverinë shqiptare, në mënyrë që të mund t`i ndalë këta njerëz të braktisin shtëpitë e tyre. Por, më keq akoma, këto shifra flasin për një të ardhme të gjymtuar, për një Shqipëri të gjymtuar, me njerëz të paarsimuar dhe me të arsimuarit të larguar. 1/3 e atyre që ka kryer arsimin e lartë në vendin tonë, ka ikur. Kaq mjafton për të kuptuar se alarmi duhej të ishte dhënë me kohë. Janë mbi 50 mijë, shqiptarët e larguar nga vendi çdo vit, që prej vitit 2007. Këtë gjë e thotë raporti më i fundit për emigrimin i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Sipas këtij raporti, mesatarja vjetore e flukseve migratore nga Shqipëria drejt vendeve të OECD, gjatë periudhës 2007-2017 fiksohet në 52 mijë njerëz. Kjo do të thotë se, që prej vitit 2007, nga Shqipëria janë larguar rreth 520 mijë njerëz, ose më saktë, 18.1% e popullsisë shqiptare sot. Pra, sipas këtyre të dhënave, thuajse 1 në 5 shqiptarë është larguar nga vendi i tij gjatë dekadës së fundit. Kjo shifër, pra 52 mijë njerëz në vit, është më e larta në rajon e ndër më të lartat në Europë. Emigrantët nga Shqipëria dekadën e fundit janë më të shumtë në numër se boshnjakët, vend i dalë nga lufta, serbët, popullsi bindshëm më e madhe se e jona, si dhe shumë vende të tjera me popullsi disa herë më të madhe. Madje, shqiptarët e larguar nga vendi i tyre janë më të shumë në numër edhe se afganët e larguar nga vendi i tyre që prej 2007-ës, apo qytetarët e Bangladeshit. Trendi i largimit vijon edhe sot, paçka se me hapa lehtë më të ngadaltë se mesatarja e kësaj dekade të fundit.

Lexoni dhe kete

Imam SYTARI: SHTËPITË TONA JANË KTHYER NË XHAMI

Besimtarët muslimanë nuk kanë mundur as këtë të premte të falin namazin e xhumasë. Nga …