SHQIPËRIA U-15 BARAZON 1-1 ME KOSOVËN NË “LORO BORIÇI”

Pas barazimit 0-0 të arritur dy ditë më parë në miqësoren e luajtur në Elbasan, kombëtaret e 15 vjeçarëve të Shqipërisë dhe Kosovës kanë arritur një tjetër barazim. Këtë herë në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës por ka patur një ndryshim edhe në rezultat sepse këtë herë dy kombëtaret kanë arritur një barazim me gola. Në fund të 70 minutave të këtij takimi është vulosur rezultati 1-1.

Trajneri i kombëtares shqiptare Eqerem Memushaj për këtë ndeshje ka patur në formacionin bazë edhe dy futbollistë shkodranë, pikërisht mbrojtësin e qendrës Preka dhe atë të majtin Mataj. Loja e tyre ka qenë e pëlqyeshme por duhet thënë se në këtë takim, kombëtarja e Kosovës ka bërë një paraqitje më të mirë. Ajo ka kaluar e para në avantazh që në minutën e 15-të. Ka qenë Maksuti i cili ka vepruar bukur në zonën e kuqezinjve dhe me një gjuajtje të saktë ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë. Pas këtij goli, Shqipëria U-15 është munduar të reagojë por ka qenë disi e paqartë në manovrën sulmuese. Gjithsesi në minutën e fundit të pjesës së parë, ka ardhur goli i barazimit për të. Pas një goditje këndi, topi ka shkuar tek Mezani që me kokë e ka goditur saktë duke shënuar.

Ky do të ishte goli i fundit i kësaj ndeshje miqësore që në këtë mënyrë u mbyll në barazim 1-1 pavarësisht rasteve të krijuara edhe në pjesën e dytë. Për ta ndjekur këtë takim kanë qenë të pranishëm në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” ka qenë edhe trajneri i kombëtares U-19 të Shqipërisë Erion Bogdani dhe ai i kombëtares U-17 Xhemal Mustedanagiç. Federata Shqiptare e Futbollit po i kushton rëndësi punës me elementin e tij por padyshim që ka ende për të bërë në seleksionimin e elementit cilësor për këto ekipe.

Lexoni dhe kete

ZYRTARE: ERNEST GJOKA JEP DOREHEQJEN. NJIHUNI ME TRAJNERIN E RI TE VLLAZNISE

KOMUNIKATË PËR MEDIAT: KF Vllaznia bën të ditur se trajneri Ernest Gjoka pasditen e sotme …