Friday , 19 January 2018

BE- SHQIPERISE: DUHEN REZULTATE NE LUFTEN NDAJ KORRUPSIONIT

“Duhen rezultate të prekshme, veçanërisht në zbatimin e Reformës në Drejtësi, verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Kjo u theksua gjatë takimit të 8-të të Komitetit të Stabilizim- Asociimit (SA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, takim i zhvilluar në Bruksel.

Sipas deklaratës së shpërndarë nga Ministria e Jashtme, Komiteti i Stabilizim-Asociimit mori në konsideratë zhvillimet më të rëndësishme të vitit të kaluar në fushat e sundimit të ligjit, reformës së administratës publike, tregtisë, zhvillimit ekonomik, bujqësisë dhe peshkimit, industrisë, tregut të brendshëm, shoqërisë së informacionit, politikave sociale, transportit, energjisë dhe mjedisit. Gjithashtu, u rishikua edhe gjendja aktuale në lidhje me zbatimin e ndihmës financiare të BE.

“Komisioni Evropian përshëndeti përparimin pozitiv në të gjitha fushat dhe theksoi nevojën për të parë rezultate të prekshme, veçanërisht në Reformën e Drejtësisë dhe në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe për të vazhduar progresin në të gjitha prioritetet kyçe, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, reformën e administratës publike dhe të drejtat themelore”, thuhet në njoftim.

Përtej pesë prioriteteve kryesore, Komisioni Evropian theksoi se ka çështje të tjera të rëndësishme që duhet të trajtohen. Në veçanti Komisioni pranoi angazhimin e autoriteteve shqiptare në trajtimin e fenomenit të aplikimeve të pabazuara për azil në shtetet anëtare të BE-së dhe u kërkoi atyre të vazhdojnë përpjekjet për të adresuar këtë çështje.

Takimi u bashkë-kryesua nga Znj. Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian dhe Znj. Eralda Cani, zëvendës ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Lexoni dhe kete

BASHA: NUK KA SHQIPERI NE BE, PA DREJTESI QE NDESHKON KRIMIN

Ndryshe nga kryeministri Edi Rama, i cili bën përgjegjës opozitën se po pengon aspiraten europiane …