Wednesday , 1 April 2020

SMAJLAJ E BURRAJ MEDALJE TË ARTA NË BEOGRAD

Të tjera vende të para dhe të tjera medalje të arta për Shqipërinë nga dy atletët shkodranë Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj. Dy javë pas suksesit në Stamboll, ato kanë rikonfirmuar formën shumë të mirë sportive edhe në Mitingun Ndërkombëtar të Beogradit që u zhvillua ditën e enjte në Serbi. Të dy ata kanë zënë vendet e para në garat respektive ku kanë konkurruar dhe kanë merituar medaljet e arta. Izmir Smajlaj, i cili konkurroi në kërcim së gjati, u pa në një formë mjaft të mirë. Ai regjistroi rezultatin 7.94 metra, ndërsa si rrallë herë të gjitha provat e tij ishin të rregullta duke mos shkaktuar asnjë faull.

Me këtë rezultat Smajlaj vendosi edhe rekord të ri në këtë pistë. Kjo ishte medalja e katërt e artë në 2020-ën për Izmir Smajlajn, që më parë ka triumfuar edhe në Mitingun e Bratislavës, në Ballkaniadë dhe në Mitingun Ndërkombëtar të Stambollit. Ashtu sikurse Smajlaj, edhe Franko Burraj bindi me paraqitjen e tij në garën e 400 metrave. 21-vjeçari shkodran i mposhti të gjithë rivalët, duke e ndalur kronometrin në kohën 47 sekonda e 20 të qindtat. Këtë herë nuk ka patur rekord të ri kombëtar prej tij, por gjithsesi ka vendosur rekord piste.

Kjo ishte medalja e dytë e artë për Burrajn, i cili u shpall kampion edhe në Mitingun Ndërkombëtar të Stambollit, disa ditë më parë. Ndërsa në Ballkaniadë, shkodrani ishte i pafat, pasi medalja e artë iu hoq për një gabim teknik. Megjithatë ai po konfirmohet çdo ditë e më tepër si një sportist elitar dhe padyshim që ka një të ardhme të sigurtë përpara, ashtu si dhe Smajlaj që gjatë këtij viti kërkon të përsërisë suksesin e tre viteve më parë, për t’u shpallur sërish Kampion Europe.

Lexoni dhe kete

FSHF U PROPOZON KLUBEVE 3 VARIANTE PËR KAMPIONATIN

Ndërprerja e kampionatit për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, u ka krijuar një …