Wednesday , 8 August 2018

SMAJLAJ NË FINALEN E EUROPIANIT, BURRAJ S’E THYEN REKORDIN

Atleti Izmir Smajlaj ka arritur të kualifikohet për në finale e garës të kërcimit së gjati në Kampionatin Europian që është duke u zhvilluar në Berlin të Gjermanisë. Në garat kualifikuese të kësaj disipline, zhvilluar pasditen e së hënës, 25 vjeçari shkodran ka kërcyer 7 metra e 71 centimetra, rezultat që I ka mjaftuar për të shkuar në finale. Kuptohet që kjo distancë nuk është më e mira e tij sepse ai pretendon të kalojë shifrën e 8 metrave për t’iu afruar edhe zonës së medaljeve por duket se Smajlaj ka ruajtur rezerva për në finale ku padyshim që do të tentojë për më shumë. Ndërkohë pjesmarrës në këtë Kampionat Europian është edhe atleti tjetër shkodran Franko Burraj.

Ai ka konkurruar në disiplinën e 400 metrave ku si objektiv kishte përmirësimin e rekordit kombëtar. Pavarësisht përpjekjeve të tij, në garën e zhvilluar paraditen e së martës, nuk ia ka dalë të vendosë shifra të reja duke u renditur I shtati në baterinë ku ka konkurruar me rezultatin 47 sekonda e 57 të qindtat. Tashmë e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar tek gara finale e Izmir Smajlajt. Ajo do të zhvillohet pasditen e së mërkurës dhe pritet që rivaliteti të jetë I fortë në mes 12 pjesmarrësve në finalen e garës të kërcimit së gjati.

Duhet thënë se në kualifikueset, vetëm një atlet grek ka arritur rezultat më të lartë sesa rekordi I kampionit tonë. Kjo tregon se shanset që Izmiri të futet në zonën e medaljeve janë të mëdha. E rëndësishme është që ai të bëjë garën e tij ashtu si duhet dhe nëse gjërat shkojnë mirë, Shqipëria do të kthehet me medalje nga Berlini. Pa harruar këtu edhe surprizën tjetër që mund të dhurojë edhe Luiza Gega.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA E VOLEJBOLLIT TË FEMRAVE ME OBJEKTIVA TË TJERA

Sezoni I kaluar ka qenë krejtësisht për t’u harruar për ekipin e volejbollit të femrave …