SPONSORI XHAFERI, PREMIO PËR FITOREN NDAJ PARTIZANIT

Fitorja ndaj Kukësit ka rritur shumë moralin në kampin shkodran dhe tashmë të gjithë janë të fokusuar tek sfida e rradhës me Partizanin. Vllaznia ndodhet ende në pozita jo të mira në renditje dhe një fitore edhe ndaj të kuqve, do t’i shtonte asaj shpresat për të mos shkuar në play-out. Lojtarët dhe stafi teknik duken të vendosur për të bërë mirë edhe këtë herë dhe përpos kësaj, për t’i motivuar edhe më shumë, sponsori i ri i klubit Alban Xhaferi mësohet se ka vendosur të akordojë një shpërblim prej 5 milionë lekësh për ekipin në rast fitoreje ndaj Partizanit.

Kuptohet që një shpërblim i tillë është një arsye më tepër që futbollistët të japin më të mirën në fushën e lojës, por natyrisht që nuk është gjithçka. Ata janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka kjo ndeshje dhe do të kërkojnë ta zgjidhin në mënyrën e duhur. Trajneri Dedja do të ketë të gatshëm për këtë përballje edhe Gurishtën që rikthehet nga skualifikimi megjithatë do të mungojnë përsëri Malota, Hygor, Ramadani e Bardulla. Megjithatë këto mungesa nuk e kanë ulur entuziasmin në kampin shkodran. Tashmë ka besim se mund të marrin pikë ndaj çdo kundërshtari, përfshi këtu edhe Partizanin këtë javë.

Takimi ndaj të kuqve ishte planifikuar për t’u luajtur të premten në orën 20.45 në “Air Albania “, por Federata ka vendosur të ndryshojë orarin dhe kjo ndeshje përfundimisht do të luhet po të premten, por në orën 17.45. Shkoodranët kanë më shumë motiv për të fituar dhe pritet që këtë gjë ta demostrojnë edhe në fushën e lojës. Kampionati po shkon drejt fundit dhe Vllaznia duhet të bëjë çmos për t’iu larguar vendit të tetë dhe kjo arrihet vetëm duke fituar ndaj Partizanit.

Lexoni dhe kete

BRDARIÇ: NDAJ TIRANËS VLEN VETËM FITORJA PËR VLLAZNINË

Vllaznia do të luajë pasditen e së shtunës ne ora 13:00 në stadiumin “Loro Boriçi” …