Tuesday , 18 February 2020
Breaking News

SULMUESI MAQEDONAS HRISTOV PRANË FIRMËS ME VLLAZNINË

Vllaznia ka vijuar edhe të premten procesin stërvitor me dy seanca dhe çdo gjë duket se po shkon mirë sa i takon gjendjes së futbollistëve teksa asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur probleme me ngarkesat stërvitore. Ndërkohë që prej pasdites të së enjtes, në stërvitje me ekipin është bashkuar edhe një tjetër futbollist. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese Kristi Prendi i cili deri para pak ditësh ka qenë pjesë e Dinamos. Ai do të provohet për disa ditë nga ana e stafit teknik të skuadrës shkodrane dhe më pas do të vendoset për të.

Por nga ana tjetër, gjatë këtyre tre ditëve, është parë me kujdes edhe gjendja e sulmuesit maqedonas Simeon Hristov dhe stafi duket se ka mbetur i kënaqur me formën e shfaqur dhe me shumë mundësi në ditët në vijim do të vijë edhe firma në kontratë me të. Një procedurë që pritet të kryhet sapo ekipi të kthehet nga Ohri. Por ndërkohë, përveç Hristov në ditët e ardhshme priten edhe lojtarë të tjerë tek Vllaznia. Siç është bërë e ditur, trajneri Jonuz ka kërkuar katër përforcime në skuadër dhe nëse e marrim të mirëqenë ardhjen e Hristov, numri i blerjeve bashkë me shqiptaro- maqedonasin Adili shkon në dy.

Kjo do të thotë se në ditët në vazhdim dhe deri në fundin e merkatos, kuqeblutë do të tentojnë të marrin edhe dy lojtarë të tjerë për të plotësuar vendet e mbetura bosh nga largimi i disa lojtarëve, teksa mbrëmjen e së enjtes, është zyrtarizuar edhe ndërprerja e bashkëpunimit edhe me maqedonasin Ristevski. Më parë, të njëjtën gjë drejtuesit e klubit kishin bërë edhe me brazilianin Uenderson dhe shkodranin Pusi, ndërkohë që në ditët në vazhdim pritet ndërprerja e bashkëpunimit edhe me brazilianin tjetër- Emerson.

Lexoni dhe kete

BASKETBOLL FEMRA/ VLLAZNIA FITON LEHTË ME APOLONINË

Vllaznia në basketboll për femra ka marrë një fitore përgjithësisht të lehtë ndaj Apolonisë në …