Wednesday , 27 January 2021

TË PREMTEN NË “LORO BORIÇI”, SHQIPËRI – QIPRO

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll për femra do të luajë të premten në stadiumin “Loro Boriçi” ndeshjen e rradhës eliminatore të Kampionatit Europës, atë ndaj Qipros. Kjo është ndeshja e parafundimit për kombëtaren në këto eliminatore dhe në fakt, ajo ka marrë një lajm të keq në këtë pragndeshje.

Paraditen e së enjtes kanë ardhur edhe përgjigjet e testeve dhe trajneri Armir Grima ka rezultuar pozitiv me covid-19. Bashkë me të edhe përgatitësi atletik Alban Shala, por për fat të mirë nuk ka rezultuar e tillë asnjë nga vajzat e ekipit. Megjithatë mungesa e trajnerit Grima do të ketë ndikimin e vet duke ditur rolin shumë të rëndësishëm që ai luan tek kjo kombëtare.

Sakaq, mesditën e sotme ishte planifikuar edhe konferenca për shtyp e trajnerit Grima në këtë pragndeshje, por ajo është anulluar. Ekipi nga ana tjetër ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” dhe ajo është drejtuar nga zëvendëstrajnerët Xhemile Berisha dhe Elvis Ligataj.

Në rradhët e skuadrës tonë përfaqësuese duket se ka optimizëm dhe të gjithë shpresojnë në marrjen e fitores, me të cilën do të siguronin përfundimisht vendin e katërt në grup dhe pastaj do të fokusoheshin tek ndeshja e datës 1 dhjetor në Portugali ndaj kombëtares vendase.

Edhe në këto dy ndeshje, baza e ekipit tonë përfaqësues do të jetë Vllaznia sepse pjesën më të madhe të formacionit të saj e përbëjnë lojtaret shkodrane. Pasditen e së premtes ata kanë një arsye më shumë për të luajtur mirë dhe për ta ndihmuar kombëtaren tonë për marrjen e fitores së dytë në këto ndeshje eliminatore ngaqe do te luajne ne “Loro Boriçi”.

Lexoni dhe kete

MARK KROQI LARGOHET NGA DREJTIMI I SK VLLAZNIA

Pas 8 vitesh në krye të Sportklub Vllaznia, Mark Kroqi tashmë nuk do të jetë …