TËRBUNI BIE NGA KATEGORIA, “VLLAZNIA B” NË PLAY-OUT

Kampionati I kategorisë së parë është mbyllur pasditen e së shtunës duke përcaktuar edhe verdiktet përfundimtare të tij. Tirana është shpallur kampione në grupin e Jugut ndërsa në atë të Veriut, këtë gëzim e ka patur Kastrioti I Krujës, skuadër kjo e drejtuar nga trajneri shkodran Samuel Nikaj. Kjo skuadër, ndonëse në ndeshjen e fundit humbi ndaj Egnatias, sërish iu gëzua në fund trofeut të marrë dhe objektivit të arritur. Por nëse, verdikti për kreun dihej prej javësh, ndeshjet e fundit kanë qenë shumë përcaktuese për skuadrën që do të binte nga kategoria.

Vëmendja kryesore ka qenë e përqendruar në ndeshjen që do të luante në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës në mes Tërbunit vendas dhe Korabit të Peshkopisë. Pukjanëve të drejtuar nga trajneri tjetër shkodran Kreshnik Krepi u duhet vetëm fitorja për të shpëtuar por në fakt, jo vetëm që nuk e arriti atë, por në minutën e 94-të ka pësuar golin tragjik që I dha fitoren Korabit. Tërbuni kësisoj me këtë humbje, mbeti në vendin e fundit të renditjes dhe rrjedhimisht, pësoi një dramë të vërtetë, rënien nga kategoria. Ky ka qenë një nga verdiktet për t’u përcaktuar por në fakt, prej kësaj ndeshje varej edhe fati I skuadrës që do të shkonte në plej- aut. Këtë të drejtë tashmë e ka “Vllaznia B”.

Ajo në ndeshjen e fundit humbi në Burrel me rezultatin 2-0 dhe kjo ka bërë që kuqeblutë e trajnerit Ervis Kraja të renditen të parafundit. Një pozicionim I tillë e ka dërguar këtë skuadër në një ndeshje shtesë. Tashmë mbetet për t’u përcaktur edhe kundërshtari I saj në ndeshjen që do të luhet javën e ardhshme në fushë asnjanëse. Por nëse për Vllazninë B pritej që situata të shkonte deri këtu, nisur edhe nga problematikat që ajo ka patur, rënia e Tërbunit kurrsesi nuk pritej dhe kjo padyshim që ka zhgënjyer shumë drejtuesit e saj por mbi të gjithë sportdashësit pukjanë.

 

Lexoni dhe kete

PIRANEJ: NUK I FALET VLLAZNISË KJO QË PO I BËN TIFOZAVE

Situata që po kalon aktualisht Vllaznia, sidomos pas barazimit me Kamzën, padyshim që ka shqetësuar …