Vioresin Sinani nuk do të jetë zëvendëstrajneri i Vllaznisë. Ish- sulmuesi i njohur paraditen e sotme duhej të kishte firmosur kontratën me klubin shkodran dhe të niste stërvitjen me ekipin por kjo nuk ka ndodhur. Nuk ka patur as firmosje kontrate, as prezantim dhe as nisje të punës prej tij. Njëkohësisht nuk ka patur as ndonjë deklaratë të vetë Sinanit megjithatë të afërm të tij kanë bërë të ditur se ai ka ndryshuar mendim.
Sigurisht që në këtë vendim të golashënuesit më të mirë në historinë e klubit Vllaznia por edhe të futbollit shqiptar, ka ndikuar edhe deklarata e bërë ditën e premte nga trajneri Baldo Raineri. Ai ishte shprehur se nuk kishte asgjë me Sinanin por nëse skuadrës i duhej një zevendëstrajner, atë duhej ta zgjidhte ai dhe jo Bordi. Pikërisht kjo deklaratë duket se nuk e ka bërë të ndihet mirë legjendën e golit që ka vendosur kësisoj të tërhiqet.
Nga ana tjetër, ende nuk kemi një reagim zyrtar nga ana e drejtuesve të klubit dhe mbase një situatë e tillë do jetë një nga temat kryesore të diskutimeve në mbledhjen e së martës të Bordit Mbikëqyrës të klubit. Ajo që mbetet është se Vioresin Sinani nuk do jetë zëvendëstrajner i Vllaznisë.