Sunday , 27 September 2020

THOMAS BRDARIÇ PRANË ZYRTARIZIMIT SI TRAJNER I VLLAZNISË

Gjermani me origjinë kroate Thomas Brdariç pritet të jetë trajneri i ri i Vllaznisë. Ndonëse janë lakuar disa emra, drejtuesit kuqeblu duket se këtë sezon kanë vendosur t’i besojnë të huajve. Pas drejtorit sportiv Matko Djarmati, edhe për postin e trajnerit pritet të jetë një i huaj. Brdariç është një emër shumë i njohur si futbollist teksa ka luajtur me disa skuadra të njohura në Bundesligën gjermane, e po ashtu ka luajtur edhe 8 ndeshje me Kombëtaren e këtij vendi teksa ka shënuar edhe 1 gola. Ish- sulmuesi, pas mbylljes së karrierës si lojtar, ka nisur atë si trajner, madje për dy sezone ka punuar edhe si drejtor sportiv në Bjellorusi dhe Uzbekistan.

Tre vite më parë ka drejtuar për disa muaj edhe Shkëndinë e Tetovës, ndërsa tashmë pritet të nisë një aventurë të re në Shqipëri. Brdariç ka mbërritur pasditen e djeshme në Shqipëri, ndërkohë që paraditen e sotme mësohet se ka patur një takim me të gjithë drejtuesit e klubit shkodran. Pas këtij takimi, Brdariç i shoqëruar edhe nga drejtori sportiv Matko Djarmati, kanë vizituar stadiumin “Loro Boriçi” dhe ambjentet e tij, e po ashtu kanë bërë një vizitë edhe në fushat e stërvitjes. Dyshja që do të udhëheqë Vllazninë në aspektin teknik kësisoj ka dashur të mësojë gjithçka që ka të bëjë me fuksionimin e saj.

Duket se palët tashmë janë marrë vesh dhe në ditët në vijim pritet vetëm hedhja e firmës në kontratë dhe zyrtarizimi i tij si trajner i Vllaznisë. Me dyshen Djarmati- Brdariç, sponsori Xhaferi kërkon të nisë një ecuri krejt ndryshe të kuqebluve në sezonin e ri teksa objektivat e deklaruata që tani, janë ato të pjesmarrjes në Kupat e Europës. Skuadra ka nisur të marrë formë, drejtuesit po vijnë dhe tashmë mbetet vetëm plotësimi i saj me lojtarët e duhur teksa emrat që përfliten duket se janë vërtetë bindës dhe projekti “Xhaferi” duket se do të funksionojë.

Lexoni dhe kete

DREJTUESIT E ATLETIKËS MBËSHTETJE MORALE VILDAN TUFIT

Trajneri i mirënjohur i atletikës Vildan Tufi prej disa kohësh nuk po kalon një gjendje …