TRE FUTBOLLISTË TË VLLAZNISË NË EKIPET KOMBËTARE

Tre futbollistë të Vllaznisë kanë marrë ftesat përkatëse nga ekipet kombëtare të moshave dhe nga dita e hënë do të jenë të grumbulluar me to. Dy prej tyre janë ftuar nga trajneri Alban Bushi në kombëtaren U-21 ndërsa tjetri ka marrë një ftesë nga trajneri Erjon Bogdani i kombëtares U-19. Bëhet fjalë pikërisht për futbollistët Alen Sherri, Ardit Krymi dhe Enes Isufi. Nëse për Krymin tashmë grumbullimet janë të zakonshme me kombëtaren Shpresa, lajmi i mirë padyshim që është grumbullimi këtë rradhë edhe i portierit Sherri. Ky i fundit është duke kaluar një formë shumë të mirë sportive dhe ka treguar vlera në ruajtjen e portës së Vllaznisë.

20 vjeçari konsiderohet një element me shumë perspektivë jo vetëm për ekipin shkodran por edhe për ato kombëtare dhe padyshim që ftesa edhe për në ekipin Shpresa, do ta motivojë për të bërë edhe më mirë në të ardhmen. Ndërsa për Krymin ai është shndërruar në një lider jo vetëm tek kuqeblutë por edhe me këtë kombëtare. Të dy këta futbollistë do të jenë pra pjesë e kombëtares U-21 në dy ndeshjet eliminatore që ajo do të zhvillojë javën e ardhshme ndaj Sllovakisë. Sakaq, edhe kombëtarja U-19 do të ketë një grumbullim nga java tjetër dhe pjesë e saj do të jetë edhe mbrojtësi i Vllaznisë Enes Isufi.

Ky futbollist është një lider i këtij ekipi dhe jo më kot në disa ndeshje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Përfaqësuesja e drejtuar nga Bogdani do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me kombëtaren e kësaj moshe të Kazakistanit dhe ato do të luhen në stadiumin e qytetit të Lushnjës. Me shumë siguri, Isufi do të tregojë vlerat më të mira të tij edhe në këto takime. Gjithsesi, thirrja e tre futbollistëve të Vllaznisë në ekipet kombëtare është një lajm i mirë ndonëse numri i tyre mund të kishte qenë edhe më i madh.

Lexoni dhe kete

ZHVILLOHET EDICIONI I XVII-të i TURNEUT “NËNË TEREZA” NË XHUDO

Për të 17-tin vit me rradhë në Shkodër është zhvilluar turne ndërkombëtar i moshave në …