Gazetarët sportivë të Shkodrës, Tiranës dhe të Prishtinës janë mbledhur në Shkodër për të nderuar dy figura të njohura të gazetarisë të ndarë nga jeta kohët e fundit, fotoreporterin e njohur Luigj Preçi dhe gazetarin Avni Shabani.
Për këtë arsye, është zhvilluar një kupë me emrin e tyre, kupë në të cilën kanë marrë pjesë gazetarët e Shkodrës, ato të TV Klanit, Ora News dhe Radio Kosovës. Ndeshjet kanë qenë shumë interesante dhe në fund, pas gjuajtjes së penalltive, trofeun e fituesit e ka marrë ekipi i TV Klanit.
Pas përfundimit të ndeshjeve është zhvilluar edhe ceremonia për të nderuar këto dy figura të gazetarisë teksa kanë qenë të pranishëm familjarët e tyre, por edhe shumë personalitete të medias dhe jo vetëm.
Në emër të familjarëve të Luigj Preçit, fotoreporterit të njohur që u nda nga jeta vetëm pak kohë më parë dhe që origjinën e tij e ka nga Shkodra, ka folur vëllai i tij, komentatori i njohur Rrok Preçi.
Gazetarët sportivë në këtë mënyrë edhe njëherë tjetër treguan se nuk harrojnë për asnjë moment të nderojnë kolegët e tyre dhe kjo është gjëja më e mirë që i bashkon ata si askush tjetër.