Sunday , 29 November 2020

UENDI VECAJ, PROVE 10 DITORE TEK DINAMO E ZAGREBIT

Një nga futbollistët e rinj më të talentuar të Vllaznisë, mesfushori Uendi Vecaj, që prej ditës së djeshme ka nisur një stërvitje 10 ditore tek Dinamo e Zagrebit. Kjo gjë i është mundësuar nga vetë drejtuesit e klubit shkodran të cilët kanë nisur një fazë bashkëpunimi me klubin e njohur kroat. Ky stazh pune që mesfushori 20 vjeçar do të kalojë atje, do t’i vlejë jo pak atij nga ana profesionale. Madje, nëse arrin të bindë stafin teknik të Dinamos, nuk përjashtohet mundësia që të vazhdojnë pastaj bisedimet për ndonjë kontratë të re, çka do t’i kënaqte të gjitha palët. Klubi Vllaznia e ka shprehur hapur dëshirën e vazhdimit të bashkëpunimit me klubin kroat i cili njihet për vlerësimin dhe rëndësinë që u jep lojtarëve të rinj të talentuar për kalimin pastaj në klube të njohura të Europës.

Ky bashkëpunim do të ishte ideal duke parë që shkodranët dallohen për Akademinë më të mirë në Shqipëri. Sigurisht që prova 10 ditore e Vecajt tek Dinamo e Zagrebit është një ogur i mirë në këtë drejtim që lojtarët e dalë nga kjo Akademi të kenë mundësinë të provohen në klube të tjera të njohura. Vetëm pak kohë më parë, Domzhale e Sllovenisë i besoi një tjetër futbollisti të Vllaznisë teksa firmosi kontratë me Rubin Hebajn. Nga rradhët e këtij ekipi më parë kanë dalë edhe të tjerë futbollistë të talentuar të cilët sot luajnë në Europë dhe për këtë arsye, duket se lojtarët e rinj që spikasin me vlerat dhe aftësitë e tyre, tashmë kanë më shumë mundësi për të hyrë në tregun europian por po ashtu, edhe klubi shkodran mund të ketë më shumë të ardhura nga shitja e tyre.

Nëse Vecaj ka shkuar në provë në Kroaci, ky padyshim që është një lajm i mirë për të, por problemi është se tek Vllaznia ka vetëm largime ndërkohë që ende askush nuk është ofruar deri tani.

Lexoni dhe kete

TË PREMTEN NË “LORO BORIÇI”, SHQIPËRI – QIPRO

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll për femra do të luajë të premten në stadiumin “Loro …