VELEÇIKU, FATI I SEZONIT VENDOSET TË SHTUNËN

Kampionati i kategorisë së parë po shkon drejt fundit dhe përveç Vllaznisë e arriti objektivin e saj për t’u ngjitur në Superligë, një tjetër skuadër veriore është në rrugë të mbarë për të qenë aty ku dëshiron të ishte në fillim të tij. Bëhet fjalë për ekipin e Veleçikut i cili do të luajë ditën e shtunë në orën 16.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”. Kjo është sfida e fundit për koplikasit në fushën e tyre ndërsa javën e fundit ata do të udhëtojnë drejt Shënkollit për të luajtur ndaj vendasve. Megjithatë futbollistët e Malësisë së Madhe nuk e kanë shumë mendjen tek sfida e fundit.

Ata janë të fokusuar maksimalisht tek ndeshja ndaj matjanëve. Në prag të kësaj ndeshje, Veleçiku duket në pozita disi më komode dhe për të siguruar qëndrimin në Superligë, i bën punë edhe barazimi ndaj Burrelit sepse vetëm një pikë i duhet për këtë gjë. Megjithatë koplikasit duan ta mbyllin si duhet kampionatin dhe për këtë arsye, ata i kanë vënë vetes detyrë të mbajnë vendin e gjashtë në renditje deri në fund. Dhe e meritojnë këtë gjë sepse djemtë e drejtuar nga trajneri Besnik Duli kanë bërë një sezon shumë të mirë.

Ndonëse duke i luajtur të gjitha ndeshjet jo në Koplik por në Shkodër, kjo nuk ndikoi shumë në paraqitjet e tyre sepse sportdashësit e Malësisë së Madhe i kanë mbështetur fuqimisht ato. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë herë në ballafaqimin e fundit në Shkodër. Veleçiku është shumë pranë arritjes së objektivit për të qenë edhe sezonin tjetër në kategorinë e parë dhe padyshim që planet pastaj do jenë të tjera.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA ZHGËNJEN NË FINALE, TRAJNERI CANAJ: DREJTUESIT DUHET TË NDËRHYJNË

Ndryshe nga sa pritej, Vllaznia ka bërë një paraqitje zhgënjyese në ndeshjen finale ndaj Bylisit. …