VITI I RI SHKOLLOR, 200 MIJË NXËNËS MË PAK NË BANKA KËTË VIT

Tkurrja e popullsisë po ndikon drejtpërsëdrejti në sektorin e arsimit në vend, pasi çdo vit që kalon shkollat janë duke u përballur me sfidën e uljes së numrit të nxënësve dhe, për rrjedhojë, edhe mbylljen e shumë klasave. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, në arsimin 9-vjeçar pritet të vijojnë studimet këtë vit të ri shkollor 306 mijë nxënës. Numri i fëmijëve në këtë cikël është 13 mijë më pak se në vitin shkollor 2018-2019. Ndërsa në krahasim me fillimin e tranzicionit (vitin ’92) janë rreth 200 mijë nxënës më pak. Në raport me vitin 2011, kur u bë censi i fundit, në bankat e shkollës do të ulen 114 mijë nxënës më pak. Në harkun e 8 viteve, numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar është reduktuar me 27%.

Ritmet e rënies pritet të jenë të larta edhe në periudhën në vijim. Ministria e Arsimit pret që në vitin 2022, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar të arrijë në 273 mijë nxënës ose 9.7% më pak se në vitin 2019.

Përveç rënies natyrore të popullsisë, arsimi shqiptar po vuan nga braktisja e shkollës për arsye emigrimi. Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm dhe fillor zgjedhin emigrimin, në të shumtën e rasteve me familjet e tyre. Prej 2010-s, nga vendi janë larguar mesatarisht 15,000 të mitur drejt Bashkimit Europian çdo vit, sipas të dhënave të Eurostat për lejet e qëndrimit për herë të parë të dhëna nga vendet e Bashkimit Europian, të ndara sipas grupmoshës.

Viti 2018 shënoi sërish rritje në numrin e të miturve që ishin pajisur me leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Gjatë vitit që lamë pas u pajisën me leje qëndrimi për herë të parë, rreth 17,279 të mitur nën 19 vjeç, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë. Shifrat janë më të larta se kaq, duke marrë parasysh që Eurostat nuk ka të publikuara të dhënat për lejet e para të qëndrimit të lëshuara nga Gjermania. Emigracioni shihet të jetë një ndër shkaktarët kryesorë të rënies së numrit të nxënësve në shkolla.

Lexoni dhe kete

DEME NGA ZJARRET NE PYJET E LEZHES

Dy vatrat e zjarrit në Malin e Kakarriqit dhe të Rrënxit në Lezhë kanë ardhur …