Ndonëse kanë kaluar gati dy ditë nga përfundimi i ndeshjes Shiroki Brijeg- Vllaznia, në Shkodër vazhdojnë të jenë të zemëruar me arbitrin rus Aleksei Mayturin. Dy 11-metërshat e dhënë prej tij që ndikuan në humbjen e kuqebluve, apo dhe kartonat e shumë të verdhë e të kuq, akorduar për pjestarët e ekipit shkodran, kanë indinjuar edhe drejtuesit e klubit të cilët duket se nuk do ta kalojnë lehtë këtë gjë.
Nga sa bëhet e ditur, ata janë duke bërë gati dosjen me të gjitha gabimet e arbitrit të këtij takimi dhe do ta dorëzojnë në UEFA. Kuptohet që nuk bëhet fjalë për ndonjë masë të rëndë ndëshkimore.
Kuptohet që maksimumi i asaj se çfarë mund të marrin nga institucioni i futbollit europian, është dhënia e të drejtës për ankesën e bërë dhe dënimi i arbitrit. Nëse ndodh kjo, padyshim që Vllaznia do të jetë e kënaqur sepse e ka fituar betejën e saj.
Nga ana tjetër, skuadra shkodrane që prej pasdites të së premtes ka nisur përgatitjet për ndeshjen e kthimit ndaj boshnjakëve të Shiroki Brijeg. Në rradhët e futbollistëve dhe stafit teknik ka shumë besim se mund t’ia dalin të përmbysin shifrat 3-1 të ndeshjes së parë, por kjo nuk do të jetë e lehtë.
Të enjten e ardhshme, në “Loro Boriçi”, Vllaznia synon kualifikimin për në turin e dytë të “Conference League” dhe shpresat janë se mund t’ia dalin.