Wednesday , 20 June 2018

VLLAZNIA: ASNJË NËNVLERËSIM PËR NDESHJEN NDAJ LUSHNJËS

Ndeshja Vllaznia- Lushnja që do të luhet të shtunën në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” është duke u vlerësuar maksimalisht në kampin shkodran. Frika e ndonjë nënvlerësimi të mundshëm të kësaj përballje me skuadrën që thuajse ka siguruar rënien nga Superliga, ka vënë në lëvizje drejtuesit kuqeblu.Për këtë ndeshje mungesat në dispozicion të trajnerit Gjoka do të jenë tre. Përveç Malotës që është ende larg skuadrës, do të mungojë edhe mbrojtësi tjetër Marku i cili ka pësuar përsëri një dëmtim dhe është i pamundur për të luajtur.

Nga ana tjetër, edhe mesfushori Bardulla nuk do të jetë i gatshëm për këtë takim ndonëse ka nisur stërvitjen me grupin por nuk është ende në gjendjen e tij më të mirë fizike. Megjithatë, formacioni këtë rradhë nuk do të ketë probleme sepse janë rikthyer nga skualifikimet Sukaj, Gocaj e Mersini. Në skuadrën shkodrane ndeshja me Lushnjën është vlerësuar maksimalisht. Këtë e tregon më së miri fakti që ajo do të grumbullohet sërish dy ditë para kësaj sfide. Për këtë arsye, ekipi menjëherë pas stërvitjes të pasdites të së enjtes, është nisur për në grumbullim.

Një gjë e tillë tregon më së miri vlerësimin që stafi teknik dhe drejtuesit e klubit po i bëjnë këtij takimi. Në pamje të parë, konsiderohet një ndeshje e lehtë. Të paktën kjo ide ekziston në rradhët e tifozëve megjithatë tek Vllaznia nuk e kanë marrë të tillë. Kjo ngaqë në disa raste, ekipi shkodran pikërisht ndaj këtyre ekipeve të ashtuquajtura të vogla, e ka pësuar. Probleme të tilla padyshim që i kanë kushtuar atij dhe për të mos u përsëritur, po synohet përgatitja sa më mirë e sfidës së rradhës me Lushnjën.

 

Lexoni dhe kete

LIKA: VLLAZNINË E RRËZUAN NJERËZ TË FUQISHËM NË SHKODËR

Kapiteni I Vllaznisë Gilman Lika për herë të parë pas një muaji nga rënia e …